Site icon Telegrafi

Nuk është parë për tri javë, SHBA ‘thellësisht e shqetësuar’ për fatin e kundërshtarit politik të Putinit, Alexei Navalny

SHBA-ja u shpreh e shqetësuar për fatin e liderit opozitar rus, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për vendndodhjen e Alexei Navalny, i cili është zhdukur në sistemin e burgjeve të Rusisë për gati tri javë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ne bëjmë thirrje edhe një herë për lirimin e menjëhershëm të tij, për t’i dhënë fund shtypjes së vazhdueshme të zërave të pavarur në Rusi”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.

Edhe ekspertja e OKB-së, Mariana Katzarova, shprehu shqetësim për “zhdukjen e detyruar” të Navalny, për të cilin thuhet se së fundmi është parë në një burg afër Moskës.

Mungesa e përditësimeve rreth vendndodhjes së tij, mund të nënkuptojë se ai po transferohet në një burg më të ashpër, proces ky që mund të zgjasë me javë të tëra.

Ekipi i Navalny, ka thënë se transferimi i tij i mundshëm në një burg tjetër, është caktuar qëllimisht pasi Kremlini po përgatitet për zgjedhje të reja, shkruan yahoonews.

Navalny, 47 vjeç, kundërshtari kryesor politik i Putinit, u ndalua të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2018, për shkak se u akuzua për mashtrim.

Në vitin 2021, ai u dënua me 19 vjet burg nën akuzën e “ekstremizmit”, pasi i mbijetoi një tentative helmimi, për të cilën e fajësoi Putinin.

Exit mobile version