Mbani frymën njerëz….
Çani: Kjo vjen nga greqishtja e vjetër, apo nga greqishtja e re?!
Curri: O Çani, ti je me grek se unë!
…dhe përballë Vangjelis Dules, që i shkëlqen fytyra nga lumturia…
Me tej, Vangjeli, që e përshkruan situatën në Dropull dhe në Himarë, nën “presionin” e policisë dhe antiterrorit, si situata në Rripin e Gazës, në Palestinë.
Ke të drejtë z. Dule, sepse për një spurdhjak greqisht-folës nga Xarra, që djeg fshehurazi në një vrimë, flamurin kombëtar dhe e filmon për ta shpërndarë në internet, kjo polici arreston 20 shqiptarë që protestonin paqësisht, para Konsullatës greke, sepse u kishin përdhosur simbolet kombëtare.
E, paneli që mbetet i mahnitur nga “denoncimet” e Dules, që flet në një televizion kombëtar shqiptar, sikur është përfaqësues politik i neofashistëve të “Agimit të Artë”, të cilëve tashmë po u vënë drunë edhe në Greqi.
Dhe, pastaj mendon për një çast, ore kush i ka bërë masakrat dhe gjenocidin etnik mbi popullsinë civile?!
Kush i ka shpërngulur, dhjetëra mijëra civilë përtej kufijve shtetërorë?!
Kush ua ka grabitur pronat dhe djegur fshatra e qytete të tëra?!
Ore, viktimat janë grekë minoritarë të sjellë si argatë nga osmanët në trojet shqiptare, apo janë shqiptarë, çamët e masakruar, tëshpërngulur nga trojet e tyre shekullore, tashmë të përfshira brenda territorit të Republikës së Greqisë?!
Vetëm në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë.
Konkretisht: Në Filat dhe rrethinat, 1286 civilë të vrarë; në Gumenicë dhe rrethinat, 192 civilë të vrarë; në Paramithi dhe rrethinat, 673 civilë të vrarë; në Pargë, 620 civilë të vrarë. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28000 çamë, të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.
O qirje Vangjelis, Çanis, Curris, mos u lodhni kot! Nuk e zhbëni dot historinë, e vaditur fund e krye me gjakun e mijëra e mijëra shqiptarëve çamë.
Atë histori që oshëtin me dhimbjet, lotët, eksodin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, nga trojet shekullore në jugun e Shqipërisë natyrale, apo në Epir, si ta doni.
Për më tepër, dëgjon Dulen, të përdorur vazhdimisht nga qarqet më ultranacionaliste greke, të qahet, se shqiptarët janë “përdorur” nga Turqia, për të penguar marrëveshjen e delimitimit të kufijve detarë, në hapësirën ujore shqiptaro-greke. Nëse ka ndonjë gjë e hairit, të cilën e kanë bërë shqiptarët, dhe sidomos drejtësia shqiptare në këto 30 vite, është pikërisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e delimitimit të kufijve detare, ku Republika e Shqipërisë humbte haptazi në favor të Greqisë, afro 350 kilometra katrorë të territorit detar të saj.
Dhe, në fund, qirje Vangjeli, ishte i shqetësuar pse Policia e Shtetit kishte nisur hetimin në lidhje me disa elementë ekstremistë, neofashistë grekë dhe antishqiptarë të tërbuar. Pra, pse policia po heton për shtetas shqiptarë, greqisht-folës, që kane djegur e përdhosur flamurin kombëtar dhe simbolet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, që kanë kryer veprimtari kriminale në dëm të interesave kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë.
Pastaj paneli i emisionit, nën tingujt dehës të këngëtarit të njohur grek, Andonis Remos, i ka kërkuar Vangjelit, që të ngrejë zërin në BE, kundër Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse ata po shkelin dhe dhunojnë të drejtat e minoritetit grek.
Qirje Vangjeli, nëse një shtetas grek me kombësi shqiptare, do të kishte bërë në një televizion kombëtar grek, këtë që bëre ti në televizionin më të madh kombëtar shqiptar, jo vetëm që do ta kishin përzënë prej leckash, por do t’i kishin vënë flakën studios së emisionit.
Por, meqë jemi në Shqipëri, në atë vendin që ti ankohesh se të shkelin të drejtat dhe liritë themelore, ti bën çfarë të do kokrra e qejfit, në fashën orare televizive më të ndjekur dhe nuk të hyn gjemb në këmbë.
Si emigrant, për disa vite në Greqi, në fillimin e viteve 1990, e kam provuar mbi kurriz çfarë do të thotë të të shkelin liritë dhe të drejtat më minimale njerëzore, policia dhe ushtria greke. Se si na kërkonin me insistim që në këmbim të një pune për të mbajtur frymën gjallë, të ndërronim emrin, mundësisht dhe besimin fetar.
Por, edhe pse isha një adoleshent, që kisha kaluar kufirin duke marshuar për ditë të tëra me këmbë, maleve të Greqisë, nuk i kam harruar kurrë grekët të cilët më strehuan dhe më morën në punë. Ende vazhdoj të ruaj miqësinë, me ustain tim, Vasilin, gruan e tij Nikoleta, fëmijët e tyre, dhe i vizitoj e interesohem për ta, sa herë më jepet mundësia. Akoma vazhdoj të dëgjoj, kur jam i ngeshëm, këngë fantastike nga Dhimitris Mitropanosit apo Vasilis Karrasit. Shikoj sa herë me jepet mundësia, derbin e Athinës, Olimpiakos-Panathinaikos, apo derbin e Greqisë, PAOK-Olympiakos. Kam qenë në dhjetëra koncerte me këngëtarë grekë. Njoh me mijëra shqiptarë që dëgjojnë, këndojnë apo kërcejnë muzikë greke. Por, nuk njoh asnjë grek, që dëgjon, e jo më të këndojë muzikë shqiptare.
Sinqerisht, nuk më shqetëson fare fakti që reklamoni kulturën dhe historinë greke, jo atë shqiptare. Që admironi dhe shijoni, muzikën greke, para asaj shqiptare. Që keni zgjedhur të jeni grekë dhe të ndiheni të tillë, megjithëse keni lindur në Shqipëri dhe flisni shqip. Që akuzoni qeveritë dhe politikën shqiptare, si të shitur te Turqia, kur ne e dimë shumë mirë, se më parë janë shitur dhe i ka blerë, Greqia.
Kjo është zgjedhja juaj dhe keni gjithë të drejtën e Zotit, të bëni këtë zgjedhje. Por, mos i akuzoni dhe fajësoni, Shqipërinë dhe shqiptarët, për atë që nuk e kanë. Nëse një shqiptar do të guxojë të bëjë në Greqi, të njëjtën gjë, që bëjnë shpesh në Republikën e Shqipërisë, minoritarët, apo shqiptarët greqisht-folës, për një pension mujor prej 300 eurosh …fundi do të ishte tragjik.
Prandaj, ndërsa dëgjoja tek flisje shqip, në mendje nga greqishtja, më erdhën vetëm këto fjalë: “Ο Θεός να μας σώσει, κυρίως Vangjelis” (Zoti na ruajt, z. Vangjeli!).