Enis Alushi ka bërë diçka të jashtëzakonshme për të luajtur me Përfaqësuesen e Kosovës.
Mesfushori ynë ka qenë i lënduar që një muaj e gjysmë, ndërsa pa u shëruar mirë ai ka sakrifikuar për ta ndihmuar vendlindjen.
Anëtari i skuadrës gjermane Nurnberg, kishte marrë këshilla nga klubi për mos t’iu bashkuar Kosovës në takim ndaj Turqisë.
Mirëpo për Enisin ka qenë më me rëndësi ta ndihmojë Kosovën se të mbetet në klub.
E pas këtij gjesti, 30-vjeçari nga Podujeva rrezikon të mbetet pa klub pasi Nurnberg po shqyrton mundësinë ta ndërpresë bashkëpunimin me të, transmeton Telegrafi.
Menaxheri i klubit Andreas Bornemann ka thënë se klubi nuk i dha leje të udhëtoi drejt Turqisë.
“Ne i rekomanduam Alushit që mos të udhëtojë për t’iu bashkuar Kosovës. Edhe mjekët e këshilluan kështu”.
“E respektojmë krenarinë e tij për të luajtur me Kombëtaren, mirëpo Enisi e dinte qëndrimin tonë”.
“Ai nuk ka nevojë për të shpjeguar asgjë. Do të ulemi me menaxherin e tij për ta diskutuar bashkëpunimin tonë”, deklaroi Bornemann për Bild.
Kujtojmë që Alushi iu bashkua Nurnbergut këtë edicion nga St Pauli, ndërsa ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2018. /Telegrafi/