Site icon Telegrafi

Nuk e goditi kundërshtarin në këmbën e lënduar: Rrëfimi për Mohamed Ali Rashwan, xhudistin që e ‘fali’ medaljen e artë olimpike

Së fundmi një video e shpërndarë me të madhe në internet ka shfaqur historinë mbresëlënëse për ish-xhudistin egjiptian Mohamed Ali Rashwan.

Ai njihet si xhudist i dashur, por edhe si sportist me vlera të mëdha, si sportive ashtu edhe njerëzore.

Rashwan kishte vlerat thelbësore të xhudos: nderin, respektin dhe integritetin, por ishte edhe besimi i tij islam që e kishte ndihmuar t’i nguliste këto në zemër.

Ai u bë i famshëm në finalen e vitit 1984 në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit.

Mohamed Ali Rashwan

Në atë vit dhe ato Lojëra Olimpike, edhe tre shqiptarë kishin fituar medalje, si Aziz Salihu (boks – medaljen e bronztë), Shaban Sejdiu (mundje – të bronztën), si dhe Shaban Tërstena (mundje – të artën).

Para se të shkonte në finale, Rashwan kishte mposhtur bindshëm çdo kundërshtarë, ndërsa Egjipti ëndërronte medaljen e parë në këso garash.

Rashwan për kundërshtar në finale kishte japonezin e famshëm në atë kohë, Yasuhiro Yamashita.

“Ishte viti 1984, kur isha zgjedhur nga vendi im për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Los Angelos. E dija që në kategorinë time, njeriu që duhej ta mposhtja ishte Yasuhiro Yamashita dhe ishte një ëndërr të takohesha me të në finale dhe ta bëja çdo përpjekje për ta mposhtur”.

“Ai ishte një ikonë e xhudos në atë kohë. Shorti më garantoi të takohesha me të në finale – ashtu edhe siç kisha dëshiruar. I fitova të gjitha ndeshjet dhe në finale isha me të madhin Yamashita”.

Pamje nga ajo ndeshje

Ai rrëfen ndjenjat para finales, të cilat sipas tij ishin të përziera. Kjo për faktin se ai veçse kishte inforamata se kundërshtari i tij, ishte i lënduar.

“E dija që kishte marrë një lëndim në ndeshjet e para. Nuk e doja një fitore të tillë. Nuk doja që njerëzit të thoshin se fitova pasi që Yamashita ishte i lënduar”.

“Nuk mund ta sulmoja një njeri të lënduar, pasi që ashtu jam rritur, me atë besim. Tentova ta sulmoj nga lartë, por asnjëherë duke e goditur në këmbën e lënduar”.

“Ai më rrëzoi dhe e fitoi medaljen e artë olimpike. Isha i mërzitur për veten, por i lumtur për të. Gazetarët më pyetën në konferencë për shtyp se a e dija që ishte i lënduar në këmbë. Natyrisht, përgjigja ime ishte ‘po’, dhe kjo më kishte bërë që të mos e sulmoja”.

Fituesi i medaljes së artë

“Një vit është folur për këtë gjë, kur një ditë Komiteti Internacional i Fair-Play më dhuroi një medalje për lojë të ndershme. Isha shumë krenar”.

Sipas mediave të huaja, sa herë ai që i flet për atë ndeshje të humbur ndaj Yamashita, sytë e tij shkëlqejnë – siç do të bënte një njeri modest dhe krenar.

“Sporti është kthyer në luftë. Duhet t’i kthehet vlera kryesore që është respekti ndaj kundërshtarit, trajnerit dhe gjyqtarit”, deklaron ai.

Ai mori medalje edhe nga UNESCO për sjelljen e tij.

Yamashita: Rashwan njëherë kundërshtar, tani mik i jetës

Përveç Rashwan, edhe kundërshtari i tij, japonezi Yamashita ka folur disa herë në media për këtë rast të veçantë të Lojërave Olimpike.

“Në ndeshjen çerekfinale kundër Schnabel të Gjermanisë Perëndimore, pata një lëndim në muskuj dhe në kyç. Schnabel pas luftës mu afrua dhe ishte i shqetësuar dhe më pyeti nëse këmba ime ishte në rregull”.

Medalja e fituar nga Rashwan për sjelljen e tij

“Kundërshtari im në finale, Rashwani i Egjiptit iu dha medaljen për Fair-play nga UNESCO për sjelljen e tij, pasi nuk më sulmoi në këmbën e lënduar”.

“Në fund të ditës, isha në podiumin olimpik me të dy si Rashwan ashtu edhe Schnabel. Gjatë ceremonisë së medaljes, më kujtohet Rashwan duke më ofruar dorën e tij dhe duke më ndihmuar të ngjitem në podium”.

“E fillova Olimpiadën me rivalë dhe e përfundova me miq të përjetshëm”, tregon japonezi.

Ali Rashwan e kishte fituar respektin e përhershëm të bashkatdhetarëve të tij, por edhe të tifozëve japonezë.

Sukseset e tij dhe jeta aktuale

Rezultati i tij olimpik e frymëzoi atë për të fituar medalje të argjendta botërore në vitin 1985 dhe 1987 në Korenë e Jugut dhe Gjermaninë Perëndimore.

Ali Rashwan u tërhoq nga sporti konkurrues në vitin 1992 dhe tani është një arbitër i klasit të lartë dhe anëtar kyç i Federatës së Xhudos Egjiptiane.

Rashwan jeton në Alexandria të Egjipt, ku drejton disa restorante. /Telegrafi/

Exit mobile version