Zyrtari i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, dyshon në manipulime në favor të skuadrave të mëdha përfshirë Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Miguel Angel Gil Marin që është zyrtar në Atletico Madrid nuk e ka pranuar lehtë humbjen 2:1 në udhëtim te Barcelona në ndeshjen e tyre të parë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Pas përjashtimit të sulmuesit Fernando Torres dhe disa vendimeve të diskutueshme të gjyqtarit, Gil Marin ankohet në favorizim të skuadrave të mëdha në garën elite evropiane për klube.
“Barcelona nuk ka nevojë për ndihmë të tillë. Rummenigge dëshiron që në gjysmëfinale të jenë skuadrat që kanë ndikimin më të madh, futbolli nuk është sport i tetë skuadrave më të mëdha në Evropë”, deklaroi Marin për “AS”, përcjell “Lajmi.net”.
“Nëse Torres e meritoi kartonin e kuq, i njëjti kriter duhet të ekzistojë edhe për Suarezin. Futbolli nuk mund të jetë diktaturë e ekipeve të mëdha”, përfundoi ai.