Ankesat e shumta të qytetarëve kanë shtyrë sektorin bankar që t’i drejtohet Administratës Tatimore të Kosovës (ATK)me kërkesën që pagesat për rimbursim të bëhen në bazë të “modulit masiv të pagesave”, ku përfituesit nuk do të ngarkoheshin fare me tarifë.
Për këtë çështje është diskutuar në mes përfaqësuesve të bankave dhe drejtuesve të ATK-së, por ende nuk është marrë një vendim, ndërkohë që pagesa për tremujorin e dytë dhe të tretë, që përfshin rimbursimin për kuponët e mbledhur në muajt nga korriku deri në dhjetor të vitit të kaluar, është bërë me po të njëjtën formë të pagesave.
Tarifa që u është ngarkuar qytetarëve ka qenë e ndryshme nga banka në bankë. Disa e kanë ngarkuar qytetarin me nga dy euro, e ka pasur edhe të tilla që provizionin nga ky transaksion e kanë pasur një euro.
F.I., njëri prej qytetarëve që është rimbursuar, ka thënë se është ë pakuptimtë tarifa që ngarkohet për këtë shërbim. Qytetarët, sipas tij, për kuponët fiskalë tashmë kanë paguar TVSH-në gjatë blerjes së produkteve. /Telegrafi/