Telegrafi

Nuk duan të jenë “Kanadaja e re”, policia e Parisit ndalon tubimin e shoferëve të kamionit – kërcënohen me burgim e dënime

Policia franceze ka njoftuar se ka ndaluar mbajtjen e protestës “konvoji i lirisë” në Paris, që ishte planifikuar të mbahet nga 11 deri më 14 shkurt, ku duket se janë inspiruar nga protestat e shoferëve të kamionëve në Kanada që po kundërshtojnë masat anti-COVID.

Demonstruesit u nisën për në jug të Francës në të ashtuquajturën “konvoji i lirë” në drejtim të Parisit, ku planifikonin të kërkonin fundin e masave epidemiologjike.

Organizatorët kanë thënë se nga e premtja mbrëma “do të bllokonin kryeqytetin francez”, transmeton Telegrafi.

“Do të aplikohen masa të veçanta që të parandalohet bllokimi i rrugëve, duke dënuar dhe arrestuar shkelësit e ligjit”, thuhet në kumtesën e kësaj komune.

Rreth 200 demonstrues janë mbledhur në një parking në Nice, ku shumica prej tyre kanë ngritur flamujt kanadez në shenjë përkrahje për shoferët e atjeshëm të kamionëve, që po protestojnë kundër masave anti-COVID.

“Organizatori i demonstratave të ndaluara mund të dënohet me gjashtë muaj burgim dhe 7.500 euro”, paralajmërojnë autoritetet franceze – duke shtuar se dënimet janë të parapara edhe për pjesëmarrësit në protestë. /Telegrafi/