Lulzim Toçi, 30-vjeçari që mbyti bashkëshorten në sy të dy fëmijëve të mitur disa ditë më parë, ka pranuar krimin para hetuesve, por kur është pyetur për arsyen, nuk ka patur një shpjegim.
“Nuk di ta shpjegoj se e bëra”, mësohet të ketë thënë ai, sipas mediave italiane.
Vrasja e 24-vjeçares Eleonora Toçi ndodhi në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e tyre në via Caravaggio në San Felice a Cancello të Italisë.
Gjatë marrjes në pyetje, e cila zgjati rreth 3 orë në burgun Santa Maria Capua Vetere, ku 30-vjeçari ndodhet i mbyllur që prej të mërkurës, Toçi konfirmoi atë që deklaroi në prokurori Iolanda Gaudino përpara karabinierëve që e kishin arrestuar disa orë pas krimit.
I riu i cili punonte në bujqësi, me ndihmën e një përkthyesi, përsëriti se e kishte mbytur me duar të zhveshura në dhomën e gjumit, me siguri ndërsa fëmijët ishin duke fjetur. Por ai nuk ishte në gjendje të zbulonte asgjë për arsyet.
Avokati i tij, Orlando Sgambati, pritet të bëjë kërkesë për caktimin e një konsulenti për vlerësimin psikiatrik. /Panorama/