Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin R.M., lidhur me veprat penale “Rrezikim i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 7 gusht të këtij viti, kur i dyshuari R.M. e ka goditur me veturë të ndjerën Z.T., e cila ishte duke lëvizur në vendkalimin për këmbësorë. Z.T., një shtetase e Shqipërisë, po kalonte rrugën në vendkalimin për këmbësorë në hyrje të lagjes “Iliria”, kur u godit nga automjeti i drejtuar nga R.M.
Si pasojë e këtij aksidenti, e ndjera fillimisht u dërgua në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndërroi jetë.
Prokuroria gjithashtu ka bërë të ditur se ekziston dyshimi se i pandehuri R.M. nuk i ka ofruar ndihmë të ndjerës Z.T., pas aksidentit, duke u larguar nga vendi i ngjarjes pa njoftuar policinë dhe ambulancën. Ky veprim, sipas Prokurorisë, përbën veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, e cila është e përcaktuar në nenin 374, paragrafi 3, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri është ndaluar nga Prokurori i Shtetit që nga 7 gushti i këtij viti dhe aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh për këto dy vepra penale./Telegrafi/