Site icon Telegrafi

Nuk arriti të përmbyllte sfidën, Eva Buzo përfundon në spitalin e Vlorës, mjeku: Gjendja e saj është e qëndrueshme

Një mjek në spitalin e Vlorës që i dha ndihmën e parë Eva Buzos ka thënë se gjendja e saj është e qëndrueshme dhe 35-vjeçarja është e vetëdijshme.

Ai tregoi se Eva erdhi me ethe dhe pak e lodhur, kishte shenja nga pickime të ndryshme, por mund të komunikonte, thjesht mjekët nuk donin ta lodhnin.

Sipas mjekut edhe tensioni i notares është në rregull, por do t’i duhen të paktën katër orë për t’u rikuperuar edhe nga humbja e lëngjeve, raporton Euronews Albania.

Lexo po ashtu Me not nga Otranto në Vlorë, Eva Buzo ndërpret sfidën 10 milje larg Karaburunit për shkak të problemeve shëndetësore

Avokatja e cila jeton në Australi, u nis për të thyer një rekord historik në not. Që prej orës 7 të mëngjesit të së enjtes ajo u nis nga Italia me not për të përshkuar kanalin e Otrantos dhe të mbërrinte më pas në Shqipëri. Ajo e mbylli udhëtimin e saj 27.5 orë pas nisjes, rreth 9 milje nga bregu i Vlorës.

Buzo është me profesion avokate në Australi dhe është e angazhuar dhe në shoqërinë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi. /Telegrafi/

Exit mobile version