Drita ka marrë fitoren e tretë radhazi në edicionin pranveror në Ipko Superligë.
Gjilanasit para tifozëve të vet kanë mposhtur lehtësisht Drenicën me rezultat 4-1.
Kastriot Rexha me dy gola si dhe Betim Haxhimusa e Izair Emini me nga një i dhanë triumfin bardhekaltërve.
E trajnerit i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë pas ndeshjes se ekipi i tij ka marrë një fitore të merituar.
“Kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë. Futbollistët kanë dhënë maksimumin në secilin repart dhe mendoj që me plotë meritë e kemi fituar ndeshjen”.
“E kemi ditur që Drenica vjen pas dy humbjeve radhazi dhe do të kërkoj të këndellet. Por, presioni i lartë të cilin e kemi aplikuar, si dhe aksionet e shpejta në repartin ofensivë nuk i kanë dhënë fare kohë atyre për të reaguar”, ka deklaruar Nuhiu.
Më pas Nuhiu deklaroi se skuadra e tij ishte e fokusuar vetëm në përballjen ndaj Drenicës dhe se planifikimi i ndeshjes me Ballkanin fillon qysh nga kjo e premte.
“Përqendrimi ynë ishte te Drenica. Nga tani fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Ballkanit”, përfundoi Nuhiu.
Drita me këtë fitore merr kryesimin e renditjes me 40 pikë të tubuara, sa ka edhe Ballkani, por që gjilanasit kanë goldallim më të mirë. /Telegrafi/