Site icon Telegrafi

Nuhiu: Në Kosovë ka financim të radikalizmit që shpie në terrorizëm

Është një numër shumë i vogël i rasteve që kanë të bëjnë direkt me financim të terrorizmit, por më shumë është i pranishëm financimi në radikalizëm që mund të shpie në terrorizëm. Financime të tilla vijnë si brenda territorit të Kosovës ashtu edhe jashtë saj, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë për Inteligjencën Financiare në Kosovë.

Ai tha se anë të projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit është bërë sistematizimi i dispozitave ligjore në fuqi, harmonizimi i mëtejmë i legjislacionit me standarde ndërkombëtare dhe evitimi i pengesave në zbatimin e legjislacionit më qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe përmbushjes së detyrave në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizimit.

Sipas tij, në Kosovë, dukuria e financimit të terrorizimit është më pak e pranishme, por kjo dukuri më shumë është e pranishme si financim i radikalizmit i cili më pas mund të shpie në terrorizëm.

“Njësia për Inteligjencën Financiare bashkëpunon me institucionet kompetente për zbatimin e ligjit në baza ditore në kuadër të kompetencave të tyre me qëllim të parandalimit dhe luftimit të financimit  potencial të terrorizimit. Në momentin e të cilave dyshohet për financim të terrorizimit apo fenomenet të lidhur më këtë dukuri përgatit raportet e inteligjencës të cilat më tutje i përcjellë tek organet kompetente për procedim të mëtutjeshëm”, tha ai.

“Informacionet për financim të dyshimtë zakonisht vinë nga subjektet raportuese. Në raste të caktuara vijnë për organizata të ndryshme joqeveritare. Hapat e mëtutjeshëm i ndërmarrim duke bërë inspektimin në ato OJQ dhe gjatë kontrollit dhe inspektimit shihen fonde që nuk e kanë prejardhjen ose ato OJQ nuk e caktojnë se ku do të shpenzohen paratë. Ajo shumë e cila nuk ka prejardhje apo nuk caktohet shpenzimi i tyre, për neve llogaritet si fonde të dyshimta dhe më pas i përcjellim në Policinë e Kosovës për hetime”, tha më tej Nuhiu.

Sipas tij, është një numër shumë i vogël i rasteve që kanë të bëjnë direkt me financim të terrorizmit, mirëpo më shumë është i pranishëm financimi në radikalizëm që mund të shpie në terrorizim.

Se nga cilat vende vijnë financime të tilla apo janë brenda territorit të Kosovës, ai tha se ka edhe brenda territorit të Kosovës, por ka edhe prej vendeve tjera.

“Nuk mund të ceken për arsye se një pjesë e këtyre rasteve janë nën hetim dhe për këtë arsye nuk mund të japim emrat e shteteve prej nga vijnë këto financa”, tha Nuhiu.

Exit mobile version