Ardian Nuhiu është ndarë i kënaqur me fitoren e Dritës ndaj Ballkanit dhe paraqitjen e futbollistëve të tij, ndërsa ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme.
Drita ka fituar me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Ballkanit në takimin derbi të javës së 10-të në Superligën e Kosovës.
“Futbollistët ishin shumë të përqendruar. Kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe e kufizuam në mundësitë për shënim”, ka thënë fillimisht Nuhiu pas ndeshjes.
“Menaxhuam mirë ndeshjen edhe pas dy golave të realizuar dhe nëse iu qasemi ndeshjeve në këtë mënyrë, atëherë nuk do të kemi problem ta mposhtim çdo kundërshtarë”.
Më pas tekniku shkupjan foli edhe për ndeshjen e radhës, të cilën gjilanasit do ta zhvillojnë në udhëtim ndaj Prishtinës.
“Kemi shumë futbollistë të lënduar. U detyruam të bënim ndërrime të detyrueshme. Por, unë llogaris në të gjithë futbollistët”.
“Ndeshjen e radhës e kemi pas tre ditësh dhe shpresoj që deri atëherë disa nga lojtarët tanë do të rikuperohen”, përfundoi trajneri i Dritës.