Drita fitoi me rezultat bindës 4-0 ndaj Dukagjinit në kuadër të javës së 16-të në Superligën e Kosovës.
Skuadra nga Gjilani i shënoi golat përmes Arbnor Mujës që realizoi dy herë, Ilir Blakçorit dhe Ardit Tahirit.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë pas fitores kundër Dukagjinit se ekipi i tij me plotë mëritë ka arkëtuar pikë të plota.
“Ishte e rëndësishme të kthehemi. Djemtë treguan karakter. Rruga vazhdon. Kemi edhe pengesa gjatë rrugës. Më gëzon fakti se si fituam”, ka deklaruar ai pas ndeshjes për ArtSport.
“Të fitojmë kaq thellë kundër Dukagjinit nuk është e lehtë. Përveç që më gëzon fakti për fitore, më gëzon që nuk e lejuam kundërshtarin të na rrezikoj”.
“Ishte fitore e merituar. Çdo futbollist që kemi është i rëndësishëm për ekipin. Arbnori ka pasur lëndim dhe tani e kemi një armë shtesë. Por, të gjithë janë të rëndësishëm për ekipin. Vazhdojmë kështu”, përfundoi Nuhiu.
Pas javës së 16-të, Drita është në vendin e tretë me 28 pikë, dy më pak se lideri Ballkani, gjersa Dukagjini është në të nëntin me 16 sosh. /Telegrafi/