Telegrafi

Nuhiu flet para përballjes me Llapin: Jemi përgatitur për këtë ndeshje të madhe

Drita do të përballet me Llapin në kuadër të xhiros së 20-të në BKT Superligën e Kosovës.

Dy skuadrat bardhekaltër do të përballen të shtunën në stadiumin e qytetit në Gjilan, në një takim që pritet të jetë mjaftë interesant.

Aktualisht Drita zë vendin e parë në tabelë me 37 pikë të grumbulluara, derisa Llapi është i katërti me 32 sosh.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur para kësaj sfide, duke e cilësuar si një takim shumë të vështirë.

“Nesër na pret një ndeshje realisht shumë e fortë me një kundërshtar të vështirë, ngase nëse shohin ecurinë e tyre në dhjetë ndeshjet e fundit janë ndër më të mirët”.

“Jemi munduar t’i analizojmë, kanë skuadër të mirë dhe rezultatet e tyre të deritanishme nuk janë të rastësishme. Skuadra jonë është gati dhe më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë mirë me shëndet dhe kemi marrë të gjitha masat se si ta gjejmë rrugën që ta kalojmë këtë pengesë, realisht mjaft të vështirë”, tha Nuhiu.

Trajneri shkupjan i Dritës tha se do të kenë një mungesë për këtë sfidë, pasi mesfushori Muharrem Jashari ka pësuar një lëndim, por që nuk është shumë serioz.

“Kemi futbollistë kualitativ, për të cilët shpresoj që nesër të shprehen në terren dhe të tregojnë e të marrin më të mirën. Të gjithë janë të gatshëm për të performuar në një ndeshje të madhe, e cila mendoj se është e tillë. Mungesa e vetme është ajo e Muharrem Jasharit që ka pësuar një lëndim, por që nuk është serioz”, ka thënë trajneri Nuhiu.

 /Telegrafi/