Gjykata ua ka vazhduar masën e paraburgimit për tridhjetë ditë dy inspektorëve të arrestuar për marrje ryshfeti. Policia dhe Prokuroria kanë konfirmuar se njëri nga të arrestuarit është Ruzhdi Sadriu. Ky është vëllai i deputetit të LDK’së, Ali Sadriu.
Deputeti i LDK-së, Ali Sadriu po thotë se ende nuk e di se i është arrestuar vëllai i tij, Ruzhdiu, i cili ka punuar si inspektor dhe është prangosur nga policia nën dyshimin për marrje ryshfeti.
“Jam në Maqedoni dhe s’kam kurrfarë informacionesh”, ka thënë Sadriu, për Express, të shtunën.
Ruzhdi Sadriu bashkë me një inspektor tjetër të MTI-së ishin arrestuar para dy ditësh nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Marrje e Ryshfetit” neni 428 i KPRK-së.
Agron Qalaj, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka konfirmuar se dy inspektorëve Gjykata ua ka vazhduar paraburgim për tridhjetë ditë.
“Jemi njoftuar nga Gjykata se dy inspektorët janë në masën e paraburgimit për tridhjetë ditë”, ka thënë ai.
Edhe Lulzim Syla, Kryeinspektor në MTI ka thënë se është njoftuar se dy inspektorëve të arrestuar u është vazhduar paraburgimi edhe për tridhjetë ditë.
“Vetëm mund t’ju them se kam konfirmimin se dy inspektorëve të arrestuar u është vazhduar paraburgimi për tridhjetë ditë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Zëvendësministri Avni Kastrati ka thënë se MTI ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pas lajmit se ishin arrestuar inspektorët.
Ruzhdi Sadriu kishte pasur probleme edhe më herët me vendin e tij të punës. Në vitin 2006 ishte shkarkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. /Express/