Telegrafi

NPK “Tetova”: Po bëhet pastrimi i të gjitha mini-deponive

NPK “Tetova” njofton se janë duke bërë pastrimin e të gjitha mini-deponive që janë krijuar në qytet. Nga NPK thonë se kanë pasur defekte në automjetet e tyre.

“Ekipet e Ndërmarrjes Publike kanë bërë pastrimin e të gjitha mini-deponive të krijuara në territorin e komunës sonë. E gjitha kjo erdhi si pasojë e disa defekteve që pamundësonte marrjen e mbeturinave. Ky problem tashmë është zgjidhur dhe puna vazhdon rregullisht”, thonë nga NPK “Tetova”.

Ndërsa qytetarët ankohen se ky problem vazhdon me muaj, nga komuna e Tetovës thonë se kanë pasur probleme të njëpasnjëshme dhe se ka dy ditë që kanë filluar me pastrimin e mbeturinave nëpër lagjet e qytetit.

Muaj më para komuna e Tetovës nënshkroi kontratë me kompaninë “Saubermacher”. Atëherë u tha se nga 1 janari kjo kompani do të fillojë me menaxhimin mbeturinave.