Telegrafi

NPB-ja dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Liburn Aliu

Ndërmarrja Publike Banesore sot ka dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale kallëzim penal kundrejt Liburn Aliut, Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“NPB qëndron e bindur që Aliu përmes veprimeve të tija ka tejkaluar përtej çdo dyshimi kompetencat e tij dhe kësisoj tashmë i ka shkaktuar dëm jashtëzakonisht të madh interesave ekonomike dhe pronësore të NPB-së”, njofton NPB.

Në këtë kallëzim penal, NPB pretendon se është shkelur legjislacioni në fuqi nga Aliu asisoj dhe i njëjti ka konsumuar veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të paraparë me Nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“NPB qëndron e vendosur të krijojë kapacitetet e saj financiare dhe njerëzore ashtu që në të ardhmen e afërt të jetë një faktor i rëndësishëm i ndërtimit në qytet me qëllimin e vetëm që të ofrojë banim të përballueshëm për shumë familje që sot qëndrojnë të përjashtuara nga ofertat e tregut të patundshmërive”.

NPB  thotë se projekti i ndërtimit “që e kanë vënë në shënjestër” Aliu përbën parakusht për të arritur qëllimin publik të NPB-së në raport me realizimin e të drejtës së banimit për shumë qytetarë në Prishtinë./Telegrafi/