Kompania bioteknologjike amerikane “Novavax” ka kryer provat e para për një vaksine njëkohësisht kundër gripit dhe COVID-19, me rezultatet fillestare pozitive, njoftoi sot ajo.
Vaksina e gripit e Novavax, e quajtur NanoFlu, si edhe ajo për COVID-19 (NVX-CoV2373), nuk janë ende të licencuara në nivel global, por që të dyja janë studiuar veçmas në provat klinike të fazës 3, që do të thotë për mijëra njerëz.
“Vaksina që po testojmë ka shkaktuar përgjigje të forta kundër gripit dhe mbrojtje kundër SARS-CoV-2, virusi që shkakton sëmundjen COVID-19”, tha Novavax në një deklaratë.
“Ne besojmë se kjo vaksinë e re kandidate, që rezulton nga një kombinim (…) mund të jetë një mjet i rëndësishëm në të ardhmen në luftën afatgjatë kundër këtyre dy viruseve të frymëmarrjes”, deklaroi Gregory Glenn, i ngarkuar me kërkimin dhe zhvillimin në Novavax.
Novavax ka njoftuar se dëshiron të paraqesë një kërkesë për autorizim urgjent për vaksinën e saj COVID-19 në BM “në tremujorin e dytë të 2021”, si edhe pak më vonë në SHBA.