Telegrafi

Notuesi fillon sfidën e jetës: Dëshiroj ta kaloj Oqeanin Paqësor me not (Foto)

“Kur ika në Belgjikë me not” është një shprehje e famshme e dëgjuar gjatë emisionit të humorit shqiptar “Portokalli”, por me sa duket, këtij francezit më poshtë i duket një distancë e shkurtër Francë-Belgjikë, ndaj dhe kërkon ta sfidojë veten me një objektiv edhe më të vështirë.

Notari 51-vjeçar, Ben Lecomte është nisur nga Japonia, me synimin për t’u bërë i pari që kalon oqeanin Paqësor me not. Ai pritet të notojë për rreth 8 orë në ditë, për mbi 6 muaj, me destinacion brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

Mes vështirësive me të cilat do të përballet ai janë peshkaqenët, stuhitë, moria e kandilëve të detit, por edhe temperaturat ekstremisht të ulëta të ujit.

Me këtë nismë, ai gjithsesi shpresoj të zgjojë ndërgjegjësimin për ndryshimet klimatike, pasi edhe një ekip shkencëtarësh do të kryejnë studime gjatë notimit prej 5.500 miljes detare (rreth 9.000 km). Ata do të studiojnë mbetjet plastike, efektet e ushtrimeve ekstreme ndaj zemrës dhe do të hetojnë gjithashtu edhe sesi fatkeqësia bërthamore e Fukushimës ka ndikuar në oqean.

Lecomte jeton në SHBA dhe është përgatitur prej kohësh me orë të tëra notimi në det të hapur. Ajo ka praktikuar gjithashtu testime shikimi dhe veçimi, në mënyrë që të garantohej se ishte psikologjikisht i gatshëm për këtë sfidë.

“Pjesa mendore është shumë më e rëndësishme sesa ajo fizike – tha ai për “AFP”-në. – Duhet të jesh i sigurtë se gjithmonë do të mendosh për diçka pozitive. Kur nuk ke diçka me të cilën të mund të merresh, atëherë truri bie në një spirale shqetësimesh, e pikërisht këtu nisin edhe problemet”.

Përgatitjet për udhëtimin kanë zgjatur më shumë se 6 vite, por Lecomte e ka pasur në mendje këtë sfidë prej më shumë sesa kaq. Në vitin 1998, ai ishte i pari që zhvilloi kalimin transatlantik, duke kryer më shumë se 4.000 milje (6.400 km) në 73 ditë. Kur ai mbërriti në Francë, fjalët e para të asaj kohe ishin “kurrë më”, por prej atëherë duket se ka ndryshuar mendje dhe ka nisur një sfidë të re. /tch/