Telegrafi

Nottingham Forest shkakton befasinë dhe mposht Liverpoolin në ‘Anfield’

Nottingham Forest ka arritur që të shënojë fitore me rezultat 1-0 në udhëtim tek Liverpooli në ‘Anfield’ në kuadër të xhiros së katërt në Ligën Premier.

Fillim i ndeshjes ishte i qetë dhe Liverpooli nuk po arrinte të krijonte dot raste shënimi për shkak të organizimit të mirë në mbrojtje nga ana e mysafirëve.

Rasti i parë për gol në këtë sfidë i takoi Diogo Jotas i cili në minutën e 25-të e detyroi portierin mysafir Sels që të intervenojë.

Liverpool ishte pranë golit edhe në minutën e 37-të kur goditja me kokë e Alexis MacAllister u prit me shumë mund nga portieri kundërshtar.

Pas një kundërsulmi ‘vrasës’ në minutën e 72-të, Nottinghami arriti ta gjejë golin i cili në fund doli të ishte i fitores.

Anthony Elanga me një hapësirë të madhe para vetes arriti që të asistojë brenda zonës për Callum Hudson-Odoin i cili nga afërsia e mposhti Alissonin për 1-0.

Në minutën e 80-të mysafirët u ankuan për një penallti por gjyqtari vendosi që nuk kishte asgjë të parregullt në atë aksion.

Kjo ishte humbja e parë për Arne Slot në krye të Liverpoolit pas tri fitoreve radhazi në Ligën Premier ndaj Ipswichit, Brentfordit dhe Manchester Unitedit.

‘Të Kuqtë’ pas kësaj xhiroje numërojnë nëntë pikë të tubuara dhe mbajnë momentalisht pozitën e dytë në tabelë pas liderit Man Cityt që ka 12 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore