int(1) Noti, sporti që po masivizohet (foto) - Telegrafi
Site icon Telegrafi

Noti, sporti që po masivizohet (foto)

Pasioni na tundon kur bëhet fjalë për sporte të ndryshme, e sidomos për notin kur është fjalë për stinën e nxehtë të verës. Disa dinë të notojnë, e të tjerë nuk ia thonë shumë, por thjeshtë e praktikojnë duke u freskuar në breg të lumit, liqenit, detit apo edhe pishinave.

Për t’i ikur tundimeve nga frika se mbytemi, është thellë apo cekët, në pishinën e Gërmisë është hapur ‘Klubi i Notit’, ku pjesë e saj janë shumë të reja e të rijnë.

Trajneri i notit Nysret Morina, me profesion arsimtar i Edukatës Fizike tha për Telegrafin se interesimi i fëmijëve për të mësuar notin nga ditë në ditë po vjen duke u shtuar.

“Që 40-të vite punoj si instruktor i notit, por me mësimin e notit jam prej themelimit të pishinës së Gërmisë. Puna është fantazi. Interesimi i nxënësve po vjen çdo ditë duke u shtuar. Me renovimin e pishinës kushtet janë shumë më të mira. Masiviteti është vënë në dukje të madhe sivjet”, ka thënë ai.

Sipas tij, nxënësit që janë duke e mësuar notin janë duke u avancuar dukshëm. “Nxënësit po përparojnë shumë, pasi edhe shkolla e notit është shumë e dobishme. Unë i mësojë nxënësit prej moshës 12-të deri në moshën 14-të vjeçare”, u shpreh Morina.

Po ashtu ai tha se kushte janë shumë të mira duke kaluar çdo mundësi lehtësimi për t’i avancuar fëmijët në mësimin e notit.

“Orari është çdo ditë, nga dy orë janë të mjaftueshme të praktikosh veten në notim. Nuk është mirë që fëmijët të jenë të larguar nga ky sport, ku të avancon shumë. Mjafton t’ua hapësh një dritare fëmijëve dhe të merren me çdo aktivitet, të largohen nga televizori apo edhe nga interneti”, theksoi profesori Morina.

Ai tregon se interesimi është pothuajse i njëjtë sa i përket gjinive, edhe pse kryesisht ka më shumë femra. Çmimet sipas tij janë 10 euro në javë.

Lundra Resyli 16 vjeçe është nxënëse e notit tha se është një ndjenjë e mirë kur noton dhe mbi të gjitha kur e zhvillon notimin edhe më shumë, me pretendime që një ditë të bëhet notare profesioniste.

“Në fillim më është dukur pak vështirë, por me kalimin e kohës e mësova notin siç është më së miri. Ky sport të zhvillon shumë. Do të doja të bëhem një notare e mirë”, u shpreh Lundra për pasionin e saj ndaj notit.

Edhe Alketa Zejnullahu 10 vjeçe, një tjetër vajzë e cila për katër vite e ushtron mësimin e notit thotë se dëshira e madhe për të mësuar notin e ka mundur frikën ndaj ujit.

“Në fillim e kam pas vështirë por më vonë më ka humbur frika. Do doja që ta vazhdoja edhe më tutje sepse noti është sporti im më i pëlqyer”, thekson Alketa, derisa sytë i qëndronin tek moshatarët e saj duke notuar në pishinën e Gërmisë.

Në kohën kur fëmijët mësonin notimin, në mbikëqyrjen e tyre ishin edhe prindërit të cilët më shumë entuziazëm i shikonin dhe i fotografonin.
E njëri nga ta ishte edhe Avni Begolli i cili shprehu kënaqësinë për dy fëmijët e tij që kishin filluar mësimin e notit.

“Dy fëmijët e mi i kam sjellë këtu, djalin dhe vajzën. E ardhmja e tyre është shumë e rëndësishme. Gjatë pushimeve kur të shkojmë, mos të kenë probleme e gjëra të tjera në notim. Shpresoj shumë që kjo t’i ndikojë në shëndet, të jenë vital dhe të shëndetshëm”, tha Begolli.

Edhe për Afërdita Kondirollin ka shumë rëndësi që djali i saj të mësoj notin. “E kam regjistruar në këtë shkollë për notim djalin tim. Këtu ia vlen sepse edhe trajnerët punojnë shumë me ta, kanë shumë durim dhe mbi të gjitha risocializohet me fëmijët e tjerë”, u shpreh ajo.

Trajnerja e notit në pishinën e Gërmisë Besa Bahtiri, tregoi për përvojën e saj të re në këtë shkollë të notit duke e pa si shumë sfiduese por edhe relaksuese. “Përvoja e re është mirë sa për fillim. Numri për çdo ditë po shkon duke u rritur. Është sfiduese si punë por çdo gjë është duke shkuar në rregull”, theksoi trajnerja Bahtiri.

Sipas saj, vetëm dita e diel është pushim, ndërsa ditët tjera të javës mund ta mësojnë notin ata që dëshirojnë prej moshës katër vjeçare e lart.


Ndryshe pishina e gërmisë është hapur më 11 korrik pas renovimit nga Komuna e Prishtinës. /Elfije Boletini/Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/

Exit mobile version