Historiani Allan Lichtman më në fund ka zbuluar parashikimin e tij për fituesin e zgjedhjeve të vitit 2024, pasi ka përcaktuar se Kamala Harris “ka përmbushur objektivat kritike për fitoren”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për profesorin i Universitetit Amerikan, 77 vjeç, që ka krijuar modelin e tij zgjedhor që ka parashikuar saktë çdo fitues presidencial që nga viti 1984.
Lichtman u bë i njohur si “Nostradamusi” i zgjedhjeve në SHBA për rekordin e tij mbresëlënës në parashikimin e rezultateve të garave presidenciale për mbi 40 vjet duke përdorur modelin e tij të parashikimit, “Çelësat e Shtëpisë së Bardhë”.
Ai ishte një nga ekspertët e paktë që parashikoi saktë zgjedhjet e 2016-ës për ish-presidentin Donald Trump dhe parashikoi një fitore për presidentin Joe Biden në vitin 2020.
Ai tani parashikon se Harris do të jetë presidenti i ardhshëm.
“Kamala Harris do të jetë presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara”, citohet të ketë thënë Lichtman në një video për New York Times.
“Të paktën, ky është parashikimi im për këtë garë”, ka shtuar ai.
Siç bëhet e ditur, ai mbështetet në një sistem “të veçantë” – duke injoruar sondazhet dhe ekspertët – bazuar në atë që ai i quan ’13 çelësat’ e Shtëpisë së Bardhë, një model që ai e zhvilloi në vitin 1981 së bashku me mikun e tij gjeofizik Vladimir Keilis-Borok.
Modeli bazohet në 120 vjet rezultate të zgjedhjeve presidenciale dhe madje i mundësoi Lichtman-it të paralajmëronte fitoren e papritur të Trump në 2016 një muaj para zgjedhjeve.
Më pas ai thuhet se përdori taktikën e tij për të parashikuar saktë rezultatin në zgjedhjet e vitit 2020.
Duke shpjeguar 13 “çelësat misterioz”, Lichtman tha: “Ato janë 13 pyetje të mëdha, të vërteta dhe të rreme që prekin fuqinë dhe performancën”. /Telegrafi/