Pothuajse jemi prej popujve të rrallë, që marrim dhe shërbehemi në vazhdimësi me vlera të huaja, në të njëjtën kohë ku me bollëk na vërshojnë vlerat tona të pastra, historike dhe autoktone. Dikur ruajtja e vlerave autoktone shqiptare, me të vërtet ishte tejet e rëndë, ngase përpos që mbi paraardhësit tanë sundonte pamëshirshëm pushtuesi, atyre në të njëjtën kohë u mungonte edhe arsimimi.
Të ndershmit tanë, përkundër që nuk ishin të arsimuar, por para se gjithash ishin të dinjitetshëm dhe, atyre nuk i mungonte dot ndjenja kombëtare dhe fetare që i shërbente për ruajtjen, kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të tyre kombëtare dhe fetare. Ata nuk pranuan dot t’i nënshtroheshin asimilimit kulturor, pra, edhe pse të pashkolluar e kuptuan mjaft mirë se, ky lloj asimilimi është më i rëndë se pushtimi dhe likuidimi fizik. Kësisoj, ata punonin dhe shpresonin se një dit do të vijnë bij dhe bija të ndershëm/me, me moral të lartë e me mendje të ndritura, që pastërtish do t’i dalin zot kësaj toke dhe vlere të bekuar shqiptare.
Me keqardhje, këtë segment të prognozës, detyrimisht duhet që t’ia kontestojmë.
Imagjinoni sikur të ishte i mundur zgjimi i tyre prej varrit dhe, ta bëjnë një krahasim të thjesht mes kohës së atëhershme dhe të sotshmes. Tek pastaj do ta kuptojnë se shumë mirë paskan qenë në varrë dhe, mos informimi për neve këndej botës do t’i linte të qetë të rrojnë në atë botë të përjetshme!
Pas disa konflikteve të lodhura për shqiptarët në përgjithësi, e për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni në veçanti, disa analistë të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, të ftuar për debate të ndryshme në televizionin kombëtar ALSAT-M, që fatmirësisht në këso mediumesh është e garantuar liria e të shprehurit në gjuhën amtare, disa të pandërgjegjshëm që dikush po i thoshte (ka)analistë, në shtjellimin apo pështjellimin e gjërave të ndryshme, po ndjehen tejet të kënaqur dhe të rehabilituar me një nostalgji mallëngjyese, kur po flasin rrjedhshëm në gjuhën maqedonase.
Në këtë krim dhe tendencë gjuhësore, edhe përkthyesit nuk po ndjehen mirë, sepse vëllanë e gjakut të tyre po detyrohen ta përkthejnë në shqip, që ta kuptojnë disa vëllezër shqiptarë që nuk e njohim mirë këtë gjuhë bullgare apo maqedonase. Dikur, me të përmendur fjalën SHQIP, të gjithë shpirtrat dhe zemrat shqiptare i kaplonte një ndjenjë gëzimi dhe pikëllimi.
Ndjenjë gëzimi, sepse ende nuk kishin humbur pinjollët që punonin për këtë SHQIPE të pastër dhe të pasur, kurse ndjenjë pikëllimi, sepse ende kjo SHQIPE e pastër nuk u lejonte të jehoj në vendet publike dhe vendimmarrëse. Ndërkaq, në kohën kur të paktën kjo gjuhë e ëmbël ka filluar t’i pushtoj edhe vendet e hapësirat publikë, prapë disa që nuk njohin gjë tjetër përpos interesit material, jetojnë kur përgjigjen dhe “analizojnë” në gjuhën maqedonase. Me këtë sikur dëshirojnë t’i thonë maqedonasve dhe neve se, ne përpos gjuhës tonë e dimë edhe një gjuhë tjetër të huaj.
Këta pra, po i ditkan dy gjuhë të huaja, gjuhen shqipen dhe maqedonishten! Kurse, bashkëbiseduesit e etnitetit maqedonas, edhe pse i dinë disa fjalë në gjuhën shqipe, besa ndonjëri prej tyre lirshëm edhe mund të debatojë në gjuhën shqipe, por ja që asnjërin asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të thotë në shqip PO ose JO, e të mos flasim për ndonjë fjali të urtë popullore, ashtu siç ne ndonjëherë nëpër oda të ndejës e kemi zakon të përdormi fjali të urta maqedonase në maqedonisht.
Për të qenë paradoksi edhe më i madh, analistët në fjalë flasin dhe brengosen për cenimin dhe censurimin e gjuhës shqipe nëpër vende publike, por kujdes, këtë brengosje ata e artikulojnë në gjuhën maqedonase, edhe atë në vendin ku i garantohet liria e të shprehurit në gjuhën amtare. Po ashtu, nëse ndonjëherë i lexoni apo i shfletoni, edhe gazetat maqedonase do ta keni rastin t’i shihni disa publicistë shqiptar, që kurrë më parë nuk i keni parë duke shkruar në gjuhën e tyre amtare në gazetat shqiptare.
Unë nuk jam kundër, që dikush të shkruaj edhe në gjuhën maqedonase, t’i artikuloj problemet shqiptare edhe në gazeta të tilla, por nuk pajtohem dot që ndonjë shqiptar të shkruaj vetëm në gjuhën maqedonase, për arsye se një analizë po paguaka rreth 70 euro, apo edhe më shumë.
Si duket këta të mençur paskan harruar se interesat dhe kontributi kombëtarë nuk blihet dhe nuk shitet me para, por me flijim të pasurisë dhe të gjakut, që ata nuk kanë fare mundësi ta ndjejnë, sepse nuk i dinë se çka do të thotë të japësh diçka nga pasuria dhe familja jote për këtë atdhe. Fundja, nëpër këso gazetash, fare nuk do të kesh mundësi t’i shprehish brengat e shqiptarëve! Mos të bëhemi servil e të harrojmë t’i tregojmë palës tjetër se, dikush e shpenzojë tërë pasurin, dikush dha jetën e dikush familjen, që dikush tjetër t’i vjelë frytet e paraardhësve tanë flijues.
Por, nostalgjia për “vlerat” maqedonase nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm me çështjen e përdorimit të gjuhës së tyre…
Unë rrëqethem kur i shohë, edhe disa sipërmarrës shqiptar me punëtore të etnisë maqedonase, edhe atë në kohën dhe vendin ku papunësia te shqiptarët është në maksimum, po ashtu më brengos vullneti i disa shqiptarëve për të blerë produkte maqedonase, në kohën dhe vendin kur të njëjtat produkte i shesin, edhe disa tregtar të ndershëm shqiptarë.
Indinjohem thellë kur dëgjoj për fotografistin maqedonas, i cili nëpër mbrëmje të ndryshme gazmore fotografon vajzat dhe gratë shqiptare, në të njëjtën kohë kur vajzat dhe gratë shqiptare i kishin harruar gjysmën e rrobave në shtëpi. Aq më keq me sytë e mi një ditë i pashë disa “patriotë” shqiptarë, duke kuvenduar për çështjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, invalidët e luftës dhe për dëshmorët e kombit, por ata këtë “brengosje” po e artikulonin duke pirë birrë të Shkupit, emri i kësaj pije mallkuese në origjinal është “skopsko”.
Ata përpos që e thyen një ligj të fesë së cilës i përkisnin (ishin mysliman me emër e me familje), ata me konsumimin e asaj pije në mënyrë të drejtpërdrejt kontribuuan në mbushjen e qeses së atyre që i dhanë shkas të bisedojnë për dëshmorët e kombit. Konfliktin e armatosur, pikërisht këta pronar të kësaj birrarie dhe disa pronar të ngjashëm me ata, e ndihmuan financiarisht që sa më shumë t’i sjellin dëme shqiptarëve. Kurse po këta shqiptarë, sot në mënyrë vullnetare marrin pjesë në financimin e atij që dikur financonte për t’i mbytur.
Por, kompania e kësaj birrarie nuk ka të ndalur së mbyturi shqiptarët. Dikur këtë e bënte në mënyrë të hapur dhe, të menjëhershme, kurse aktualisht këtë vdekje të zemrave është duke e bërë nën emrin e liberalizmit njerëzor dhe, duke mos u ngutur fare!
Dikush mund të thotë, ore djalë shkenca e ekonomisë dhe e tregtisë nuk njeh dhe nuk bën dallime në kombin, racën dhe gjininë! Kjo është e vërtet, por e vërtet vetëm në shtetet e zhvilluara dhe me një demokraci të mirëfilltë, ku mbledhja e mjeteve financiare dhe shpenzimet e të ardhurave publike bëhet në proporcion të drejt për të gjithë.
Kurse, në këtë shtet, vallë a kemi ndonjë segment ku pjesëmarrja në detyrime dhe në privilegje është e barabartë për të gjithë? Përpos akumulimit (mbledhjes) të mjeteve monetare që bëhet në mënyrë të barabartë, në asnjë segment tjetër institucional nuk jemi të barabartë!