Telegrafi

Norvegjia përkrah projektet për sundimin e ligjit në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen.

Gjatë këtij takimi ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për mbështetjen që Mbretëria e Norvegjisë ka dhënë për Kosovën sidomos në sundimin e ligjit si dhe qasjen në drejtësi.

Tahiri ka theksuar rëndësinë e kalimit të gjyqësorit në E-Gjyqësor, përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve.

“Përcjellja e lëndëve në formë elektronike do të mundësohet përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve, gjë që do të mundësoj transparencë, efikasitet dhe qasje më të lehtë në drejtësi, duke iu shmangur procedurave të gjata” ka thënë ministri Tahiri.

Për E-Drejtësinë, ministri Tahiri ka thënë se do të flitet edhe tek Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.

“E-Drejtësia është temë e paraparë tek Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit. Qëllimi i Rishikimit është të analizoj materialet e publikuara deri më tani për sektorin e sundimit të ligjit, të analizoj më tutje ndryshimet e mundshme që duhet të bëhen në këtë sektor, në mënyrë që të fuqizoj sundimin e ligjit dhe ekonominë e vendit, duke siguruar ligje që garantojnë qartësi juridike” theksoi ministri Tahiri.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen ka përgëzuar ministrin Tahiri për hapat e ndërmarrë në Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, por edhe për plotësim-ndryshimin e legjislacionit penal dhe civil.

Gjithashtu, zHalvorsen shprehu mbështetjen e mëtejshme të Mbretërisë së Norvegjisë për projektet që do të mundësojnë fuqizim të sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/