Site icon Telegrafi

Norvegjia kundër fotove me filtra

Bark i sheshtë, bel i hollë, buzë të trasha, lëkurë e lëmuar e trup i gjatë… këto janë fotot që shikojmë rëndom të postuara në rrjetet sociale, ku ka shpërthyer gara se cili/a paraqitet më perfekt, paçka se në rrugë shpesh nuk e njohim njëri-tjetrin.

Vëmendja e tepruar ndaj dukjes se përkryer po bëhet shqetësuese në gjithë botën. Janë personat e famshëm që po ndikojnë të tjerët, duke iu shkaktuar ankth, mungese vetëbesimi e pasiguri të thella në vetvete. Kështu, Norvegjia po bëhet vendi i parë që i kushton vëmendje të posaçme kësaj dukurie.

Një ligj i ri në këtë vend i detyron personazhet e njohura të ekranit apo medias, të mos postojnë asnjë foto pa e deklaruar se e kanë modifikuar më parë duke i shtuar filtra dhe efekte. Për Fani Alikon, një ndër fotografët më të njohur të shoubizit shqiptar, një ligj i tillë te shqiptarët as mund të imagjinohet

“Nëse ky ligj do vendoset edhe këtu, në Shqipëri le të themi, do të ishte e vështirë. Mendoj se nuk do respektohej”, tha Aliko.

Ai thotë se fotografia origjinale nuk po vlerësohet sa duhet, kur vë re dëshirën për t’u transformuar në atë që s’je çdo ditë.

“Të gjithë njerëzit duan të arrijnë perfeksionin dhe kanë prirje që çdo foto ta editojnë që të duken sa më bukur, sa më mirë e që mos të tregojnë asnjë defekt”, tha fotografi.

Editimi i fotove luan rol në pasigurinë sociale, ndërgjegjësimin e keq dhe vetëvlerësimin e ulët, por edhe i vendos njerëzit në presionin për t’u dukur perfekt. Këshilla e Alikos është e thjeshtë? qëndroni sa më afër realitetit dhe mos kërkoni të jeni tjetërkush. /News24/BW/

 

 

Exit mobile version