Site icon Telegrafi

Norvegjia e gatshme ta mbështesë Maqedoninë e Veriut për sistemin “AKMIS”

Zëvendës ambasadori i Norvegjisë në RMV, Geir Johansen, në takim pune në Këshillin Gjyqësor, e njoftoi kryetaren Pavlina Cërvenkovska se qeveria norvegjeze është e gatshme të ndajë grant me qëllim që të krijohet sistem informativ funksional për menaxhim automatik me lëndë gjyqësore, i njohur si sistemi AKMIS.

Sipas planit, i gjithë projekti do të zgjasë disa vite, por përvoja e Norvegjisë ka treguar se sistemi është plotësisht funksional, i sigurt dhe menaxhohet lehtë. Sistemi tashmë është integruar në disa shtete dhe Norvegjia përmes zëvendës ambasadorit dërgoi porosinë se përvojat pozitive duan t’i ndajnë edhe në Maqedoninë e Veriut.

Krahas pjesës financiare, administrata gjyqësore e Norvegjisë është e gatshme ta ndihmojë edhe futjen e sistemit AKMIS dhe t’i zbatojë trajnimet e personelit i cili do të jetë i obliguar për menaxhim me sistemin, përmes gjykatësve të tij, informatikanëve dhe personave të tjera me qëllim që gjyqësori në vendin tonë të digjitalizohet plotësisht.

Nga ana e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Cërvenkovska, ishte njoftuar se Qeveria në Buxhet ka siguruar 90 milionë denarë për furnizim të serverëve të cilët do të vendosen në Gjykatën Supreme, por edhe 20 milionë denarë për furnizim të pajisjes teknike për gjykatat, para së gjithash për furnizim të sallave gjyqësore dhe theksoi se me rëndësi thelbësore është procesi i digjitalizimit të vazhdojë me tempo të përshpejtuar, sepse të gjitha reformat në të ardhmen mbështeten mbi këtë proces.

Këshilli Gjyqësor përballet me parregullsi të sistemit ekzistues AKMIS sepse në vitin e fundit janë miratuar një varg aktesh nënligjore të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e gjyqësorit të pavarur dhe objektiv, ndërsa zbatimi i të cilit varet pikërisht nga sistemi AKMIS i përmirësuar dhe zgjeruar. Këshilli Gjyqësor i miratoi Metodologjinë për vlerësim cilësor të gjykatësve, Metodologjinë për konfirmimin e kompleksitetit të lëndëve gjyqësore, si dhe strategji dhe plane të tjera të cilat direkt do ta përmirësojnë sistemin gjyqësor, do ta rrisin përgjegjësinë e gjykatësve, ndërsa drejtësinë do ta bëjnë më të shpejtë dhe më efikase. Që të fillojë zbatimi i këtyre dokumenteve është e patjetërsueshme që të vendoset sistem bashkëkohor digjital.

Exit mobile version