Kapitali i mjaftueshëm i bankave të cilat operojnë në tregun bankar të Kosovës, ka bërë që norma e interesit për depozita të jetë mjaftë e ulët për dallim me vitet paraprake.
Norma mesatare e interesit, sipas raportit vjetor për vitin 2017, të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në depozitat shënoi rritje të lehtë krahasuar me periudhën paraprake, në 1.3 për qind në dhjetor 2017.
“Norma mesatare e interesit në depozitat e ndërmarrjeve arriti në 1.7 për qind, një rritje e lehtë vjetore prej 0.1 pike përqindje. Më saktësisht, rritje prej 0.2 pikë përqindje shënuan normat e interesit në depozitat e kursimit, përderisa prej 0.1 pikë përqindje ato të afatizuara të ndërmarrjeve”, njofton BQK-ja, shkruan Telegrafi.
Në raport jepen detaje dhe për depozitat e ekonomive familjare.
“Në anën tjetër, norma mesatare e interesit në depozitat e ekonomive familjare mbeti e ngjashme me vitin e kaluar, në 1.0 për qind, përfshirë këtu edhe të tri kategoritë e depozitave (të transferueshme, të afatizuara dhe të kursimeve) të cilat po ashtu patën ndryshime margjinale”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së për vitin 2017. /Telegrafi/