Anila Omari
Me rastin e 140 vjetorit të lindjes së Norbert Joklit, Botimet Çabej nxjerrin veprën e parë monografike të këtij autori, në përkthimin e ish-nxënësit të tij Eqrem Çabej, si një homazh për të dy albanologët më të shquar të shekullit XX.
Norbert Jokli, një vazhdues i ndritur i veprës albanologjike të etërve themelues të saj, Hahnit, Meyerit, Pedersenit, ishte doktoruar për jurisprudencë në vitin 1901, kur drejtoi vëmendjen në studimet gjuhësore indoeuropiane, fillimisht me përqendrim në romanistikë e sllavistikë, fushë në të cilën edhe u doktorua për herë të dytë në vitin 1908. Në këtë kohë atë e tërheq gjuha shqipe, si një gjuhë e rrallë dhe pak e njohur nga studiuesit, mësimit të së cilës iu kushtua si autodidakt.
Ai e filloi studimin e shqipes në moshën 30-vjeçare, në kursin që zhvillohej në atë kohë në Universitetin e Vjenës nga Gjergj Pekmezi (1907). E mësoi në një kohë të shkurtër dhe e përsosi edhe me ndihmën e studentëve të tij shqiptarë në Universitetin e Vjenës, ndër të cilët ishte dhe pasardhësi më i denjë i tij, Eqrem Çabej. Krahas mësimit të shqipes, ai iu kushtua studimit të thelluar të saj në aspekte të ndryshme: në etimologji e histori fjalësh, në fonetikë e morfologji historike, në prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve, në marrëdhëniet e shqipes me gjuhë fqinje, të lashta e më të reja, si me greqishten e vjetër, latinishten apo me sllavishten, në onomastikë si edhe në etnolinguistikë të shqipes.
Jokli la një trashëgimi të pasur studimesh për shqipen. Ndër veprat e tij monografike përmendim “Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” (Vjenë 1911), “Kërkime gjuhësore – kulturhistorike nga fusha e shqipes” (Berlin 1923) që është edhe kryevepra e tij, “Kontribute gjuhësore për paleoetnologjinë e Gadishullit Ballkanik” (Vjenë 1984), si dhe një varg punimesh e artikujsh në revista të specializuara. Në studimet e tij ai i kushtoi vëmendje në radhë të parë leksikut të trashëguar të shqipes, duke arritur të shpjegojë burimin vendas të një numri fjalësh që më parë mbaheshin si huazime nga gjuhët e tjera. Në studimet për gramatikën historike ai përforcoi në mënyrë përfundimtare tezën e pohuar së pari nga Franz Boppi për karakterin indoeuropian të gjuhës shqipe.
Jokli kishte punuar shumë edhe për një fjalor etimologjik të shqipes, mbi bazën e fjalorit të Gustav Meyerit, mbi të cilin kishte bërë shumë shënime anash faqeve. Për fat të keq, gjurmët e këtij fjalori humbën me deportimin e Joklit nga nazistët në kamp përqendrimi ku edhe vdiq në vitin 1942.
Ai i bëri një shërbim të madh albanologjisë dhe njohjes së saj në botë edhe si bashkëpunëtor i Vjetarit Indoeuropian (Indogermanisches Jahrbuch) nga viti 1917 deri 1940, ku bëri një punë të madhe bibliografike, duke referuar mbi botimet më të reja të albanistikës.
Si profesor i jashtëm i Universitetit të Vjenës, Jokli, përveç leksioneve të sllavistikës dhe të gjuhëve baltike, mbajti edhe leksione për gjuhën shqipe, siç ishte lënda Gramatikë e shqipes, Gramatika historike e shqipes, Gramatika e krahasuar e shqipes apo Gramatika historike e krahasuar e shqipes.
Në kuadrin e gjuhësisë indoeuropiane, në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX lindi dhe u përhap në vendet gjermanishtfolëse, si Austri dhe Gjermani, lëvizja gjuhësore Fjalët dhe Sendet (gjerm. Worter und Sachen), e ngritur nga Hugo Schuchardt dhe Rudolf Meringer. Kjo rrymë kërkonte që, në hulumtimet etimologjike e leksikore, fjala të studiohej e lidhur ngushtë me sendin apo konceptin kulturor që ajo shënon, me synimin për të arritur rezultate më të sigurta në studimin e të dhënave gjuhësore. Jokli përqafoi këtë metodë studimi dhe e zbatoi në studimet e tij. Vepra që përfaqëson më së miri metodën e studimit fjalët dhe sendet është kryevepra e tij “Kërkime gjuhësore – kulturhistorike” nga fusha e shqipes ku, siç e tregon vetë titulli, ai ndërthur metodën e studimit gjuhësor të leksikut të shqipes me aspektet historike e kulturore të koncepteve a sendeve që shënon fjala. Për shembull, ai vë në dukje që leksiku i tokës, i relievit e i bimësisë, i blegtorisë e i produkteve blegtorale është në shumicën e tij me burim vendas, që lidhet me profesionet e lashta të shqiptarëve, ose që leksiku i bletarisë është me burim latin, gjë që shpjegohet me përhapjen e saj nga romakët. Në grupin e fjalëve të fushës së të drejtës, të zakoneve e besimeve, ai sjell në vëmendje disa zakone shumë të lashta të shqiptarëve, siç është ai i mërkoshit (couvade-s), që të shpie në një periudhë paraindoeuropiane.
Kështu vepra ka vlera jo vetëm gjuhësore, por edhe etnografike e antropologjike për shqipen e shqiptarët. Për lëndën etnografike Jokli u mbështet sidomos në veprat e baronit Franc Nopczsa, i cili i la trashëgim mbas vdekjes materialet etnografike për Shqipërinë.
Studimi i tij monografik nga fusha e indoeuropianistikës, “Studien zur albanischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), botuar në vitin 1911, ishte punimi me të cilin Jokli u habilitua, me cilësimin linguist, në vitin 1913. Punimi merr në shqyrtim një numër fjalësh të shqipes të cilat i trajton në pikëpamje të etimologjisë e të prejardhjes së tyre. Ai nisej në këtë studim nga kritikat që u ishin bërë studimeve etimologjike të paraardhësit të tij të shquar Gustav Meyerit, në radhë të parë nga Holger Pederseni, për ekzagjerimin e ndikimit të huaj në gjuhën shqipe dhe për përcaktimin e saj si një gjuhë e përzier gjysmë-romane, por edhe nga sasia e madhe e fjalëve të mbetura pa shpjegim etimologjik në “Fjalorin” e Meyerit.
Studiuesin e ndihmonte fakti që tashmë ishte botuar një material i pasur për shqipen, si fjalorë, libra, lëndë folklorike, si dhe kthimi i vëmendjes në tekstet e vjetra. Punimin e ndau në dy pjesë, ndër të cilat e para trajton leksik të trashëguar të shqipes, gjithsej 139 zëra, dhe e dyta leksikun e huazuar, me 36 zëra. Në leksikun e trashëguar janë përfshirë fjalë që më parë ishin trajtuar si huazime ose nuk ishin shpjeguar etimologjikisht. Aty bëjnë pjesë njësi leksikore të rëndësishme të thesarit leksikor të shqipes, si amëzë, anë/enë, bagëti, bane/banesë, blozë, buzë, dalloj, danë/darë, dell, det, djathë, dosë, dredh, dukem, lumë etj. Në pjesën e dytë përfshin etimologji fjalësh që janë huazime nga gjuhë të tjera, qoftë të pashpjeguara më parë, qoftë që janë shpjeguar në mënyrë të mangët.
Qysh në këtë punim të parë monografik të tij ka përpjekje të zbatimit të metodës fjalët dhe sendet. Në shumë raste, analiza etimologjike dhe fjalëformuese e leksemave të marra në shqyrtim përfshin edhe kontekstin historik e kulturor të përdorimit të fjalës bashkë me sendin a nocionin që shpreh. Kështu veprohet p.sh. në trajtimin e fjalës djathë, ku bëhet krahasimi me fjalën indoeuropiane për “gjizë” dhe me këtë rast sillet shpjegimi i punimit të lashtë primitiv të djathit në epokën e hershme indoeuropiane; për kuptimet e fjalës “mih” përmenden funksionet e ndryshme që kishin veglat primitive etj. Gjithashtu edhe elementet etnografike apo antropologjike merren në konsideratë për shpjegimin e prejardhjes së fjalëve. P.sh. për shpjegimin e foljes tregonj ai niset nga emri tregë me burim sllav, fillimisht me kuptimin “merrem me tregti të vogël” e pastaj edhe “nxjerr në treg, shpall, kumtoj” dhe “rrëfej, kallëzoj” duke u mbështetur në faktin se në kohët e vjetra e primitive tregu ishte njëkohësisht edhe vendi i mbledhjeve, ku rriheshin çështjet e përbashkëta, ashtu siç e pasqyrojnë edhe fjalët e greqishtes.
Autori në hulumtimin e prejardhjes së fjalëve të shqipes përpiqet të zbulojë edhe pikënisjen e ndërtimit që ka shërbyer si model. Kështu, në shpjegimin e foljes shkoj nga emri shteg (sht(ë)goj > *shtkoj > shkoj) përsiat një ndikim të formës së brendshme nga ana e latinishtes viare “shkoj” nga via “udhë”.
Kjo vepër është një kontribut i rëndësishëm në studimet etimologjike të gjuhës shqipe, prandaj i takonte të ishte në duart e gjuhëtarëve shqiptarë edhe në versionin shqip. Këtë detyrë e mori përsipër Eqrem Çabej, që në vitet e para të punës së tij në Institutin e Shkencave, edhe si nderim kundrejt mësuesit dhe mikut të tij.
Përkthimi i veprës së Joklit nga Çabej ishte depozituar në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. Për kërkimin dhe gjetjen në vitin 2006 të daktiloshkrimit të përkthimit, i cili ishte pa emër përkthyesi dhe ishte futur gabimisht në një dosje me emër tjetër, ka shkruar Ledi Shamku në Gazetën Shqiptare të datës 28 prill. Nismën e botimit të veprës së Joklit e ndërmori znj. Brikena Çabej, drejtuese e Shtëpisë Botuese Çabej dhe tashmë drejtuese e Institutit Çabej. Përgatitja për botim e përkthimit të veprës së Joklit m’u besua mua.
Paralelisht për botimin e saj punoi dhe prof. Rexhep Ismajli nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila e botoi në vitin 2011 bashkë me tekstin origjinal gjermanisht të riprodhuar në mënyrë anastatike.
Gjuha e përkthimit të Çabejt është e saktë, besnike e tekstit origjinal gjermanisht dhe njëkohësisht e kuptueshme dhe e rrjedhshme në shqip. Asnjë nuancë kuptimore nuk mbetet jashtë vëmendjes së përkthimit, edhe pse e dhënë sipas strukturës së shqipes së viteve ’50. Gjuha letrare e asaj kohe qëndronte më afër gjuhës së folur, prandaj ndërtimi i fjalisë është i shtjelluar në mënyrë perifrastike, duke iu shmangur konstrukteve të ngjeshura sintetike me emra prejfoljorë më -im apo -je, fjalive të ndërkallura, me përemra të shumtë të rasave të zhdrejta etj., që janë karakteristike për gjuhën e sotme. Pavarësisht se shumë terma të gjuhësisë asokohe nuk ishin shqipëruar dhe përdoren në tekst sipas gjermanishtes apo gjuhëve të tjera ndërkombëtare, kjo nuk pengon aspak që teksti të jetë krejtësisht i kuptueshëm nga specialistët e historisë së gjuhës e më gjerë.
Gjithë puna për përgatitjen për botim të përkthimit të Çabejt u krye fillimisht në bazë të një kopjeje të dytë të daktilografuar dhe të pakorrigjuar nga autori i përkthimit, e cila kishte shumë boshllëqe në shembujt me alfabete të tjera nga ai latin, si dhe gabime të shumta leximi ose daktilografimi. Prandaj për plotësimin e boshllëqeve dhe ndreqjen e gabimeve të shembujve ilustrues nga gjuhët e huaja u bë ballafaqimi me origjinalin gjermanisht, me ç’rast u vendosën edhe shenjat e veçanta diakritike për të gjitha gjuhët që sillen në tekstin e Joklit për krahasim në shpjegimin e fjalëve shqipe të analizuara. Disa lexime të gabuara fjalësh të rralla ose të vjetruara të përdorura nga autori i përkthimit, Eqrem Çabej, u ndreqën me konjekturë, duke njohur gjuhën dhe stilin e autorit.
Kur materiali ishte bërë gati për shtyp, një e dhënë e katalogut të Arkivit të IGJL na vuri në dijeni për ekzistencën e dorëshkrimit të Çabejt si përkthim i veprës së Joklit dhe mbas një kërkimi në Arkiv u gjet dhe dorëshkrimi origjinal i përkthimit. Ballafaqimi me origjinalin zgjidhi edhe disa probleme të drejtshkrimit të autorit dhe konfirmoi disa zgjidhje të hamendësuara prej nesh. Disa trajta gege të variantit të daktilografuar, si këtyne, i frymë, i ndritun, u sajue, i pajisun, që i kishim lënë pa prekur duke i konsideruar si përdorime reale të autorit, ndoshta nën ndikim të drejtshkrimit të vitit 1923, mbas krahasimit me origjinalin u pa se ishin lexime të gabuara dhe u ndreqën sipas toskërishtes letrare të autorit.
Me gjithë vlerësimin e lartë që gëzon emri i Norbert Joklit në hapësirat shqiptare, veprat e tij nuk kanë qenë të njohura për publikun e gjerë shqiptar. Këtë mund ta pohojmë edhe për vepra të tjera të trashëgimisë shkencore të albanologëve të shquar të huaj, të cilat për shumë kohë kanë mbetur të papërkthyera në gjuhën shqipe ose janë përkthyer për nevoja të studiuesve dhe kanë mbetur në arkiva. Një punë të lavdërueshme ka bërë kohët e fundit Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës për botimin në shqip të trashëgimisë albanologjike në gjuhë të huaj.
Urojmë që dalja në dritë e kësaj vepre në shqip të tërheqë pas vetes edhe punime të tjera të Joklit që janë të përkthyera dhe ndodhen në Arkivin e IGJL. Me këtë rast uroj të gjejë mbështetje institucionale e shtetërore nisma e Institutit Çabej për botimin e trashëgimisë albanologjike, vendase e të huaj, si një nga synimet themelore të tij.