Për herë të parë Kosova po paraqitej në Kubë, vend ky që nuk e njeh Kosovën. Organizatori vendosi që mos të lërë Gjakovën të garojë si përfaqësuese e Kosovës, ndërsa këtë delegacionit kosovar ia bëri të ditur vetëm të premten, pak para se të niste gara.
Kështu Gjakovës iu kërkua që të ndërrojë kimonot (veshjet e xhudistëve) që të mos shihej emri Kosova, shkruan sot Koha Ditore.
Ajo garoi si garuese e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) dhe arriti sukses që besohet se do t’i shërbejë shumë. U rendit e treta në kategorinë deri 57 kilogramë dhe, pos medaljes së bronztë, fitoi edhe 120 pikë për ranglistën olimpike.
"Në ditën e garës na thanë se nuk mund të garojmë si sportistë të Kosovës, por se duhet të garojmë me logo të IJF-së. Kështu edhe më është kërkuar të ndërroj kimonot. Natyrisht se kjo është një pengesë, pasi është dashur të garoj me kimono të tjera dhe nuk e kam pasur komoditetin që e kam në kimonot e mia. Por është dashur të tejkalohet kjo dhe për fat fundi ishte i mirë", ka thënë Gjakova për gazetën.