Ajo javë më parë shënoi rikthimin e saj në skenën muzikore shqiptare pas një mungese disavjeçare.
Nora Muçaj solli baladën e re të titulluar “Për ty”, në kohën kur edhe më së shumti kërkohet ky lloj i zhanrit me një tekst e klip mjaft sensual.
Artistja e njohur në një bisedë për Telegrafin, ka folur rreth këtij rikthimi, i cili i ka hapur rrugë që ajo të mos ndalet në prurje të reja.
“Nuk ka ndonjë arsye të veçantë thjesht ndjeva pak që kisha nevojë për familje, sepse nuk e bëj për treg por e bëj me dëshirë”, ka thënë Nora Muçaj për Telegrafin.
Meqenëse jemi në muajin e ashtuquajtur të ‘baladave’, Nora tregon se ka vendosur që pikërisht këtë kohë të kthehet me një të tillë.
“Unë njihem si këngëtare e baladave. Kënga ‘Hesht’ është këngë senzacionale e imja për atë arsye zgjodha ta komponoj një baladë të ngjashme me këngën ‘Hesht’ pasi muaji nëntor është muaj i baladave dhe vjeshta është shumë stinë e veçantë për balada”, vazhdon më tej këngëtarja.
Marrë parasysh mungesën e gjatë në estradë, artistja në fjalë tregon se si u prit kënga e re nga publiku.
“Jam befasuar shumë. Nuk e prisja që kënga ime do të mirëpritet aq shumë, kam marrë mesazhe të shumta dhe jam shumë e lumtur dhe e motivuar jasht mase për projektet e ardhmes”, thotë më tutje ajo.
Si shumë nga artistët e tjerë, edhe Nora këtë kohë kishte lënë më anash muzikën për t’iu përkushtuar familjes dhe kur jemi në këtë pjesë ajo shton se është një nënë mjaft e lumtur.
“Jeta ime personale- jam një nënë shumë e lumtur jetojmë dhe veprojmë në Zvicër bashkë me bashkëshortin Markun dhe fëmijët e mi”, ka thënë ndër të tjerash Nora.
Kjo e fundit në mesin e shumë gjërave, nuk kishte si të mos ndalej në një nga temat që bëri bujë në trojet shqiptare – tërmeti i 26-nëntorit (Shqipëri).
“Dua të ndaj dhimbjen që kam me shqiptarët e Shqipërisë, popullin tim. Ju uroj shumë paqe dhe shpresoj që më kurrë mos të na ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Muçaj në përfundimin e bisedës për Telegrafin.
Këngëtarja shumë e pëlqyer, pritet që në vazhdim të jetë sa më afër fansave, natyrisht me shumë risi në karrierën e saj muzikore. /Telegrafi/