Nora Gjakova ka bërë kthim pozitiv në garat e xhudos. Kampionia olimpike nuk kishte garuar që nga dhjetori, ndërsa të premten fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Nora në finale humbi nga xhudistja e Serbisë, Marica Perishiq. Nora pësoi dënimin e tretë në kohën shtesë.
Në fakt Nora deri më tani ishte plotësisht dominante ndaj xhudistes serbe. Atë e ka mposhtur pesë herë rresht. E ka mposhtur fillimisht në vitin 2019 e më pas tri herë në vitin 2021. Vjet po ashtu e mposhti një herë.
Në raundin e dytë të kategorisë deri 57 kilogramë, Nora të premten e mposhti xhudisten e Guinesë, Mariana Esteves. Ndaj saj fitoi me Ippon. Me Wazzari, në raundin e tretë e mposhti mongolen Ichinkhorloo Munkhtsedev.
Po me Wazzari në çerekfinale e kaloi gjermanen Pauline Stark. Ndërkohë në gjysmëfinale, Nora e mposhti bartësen e parë dhe kampionen e botës nga viti 2021, kanadezen Jessica Klimkait. Kanadezja mori tri dënime dhe kështu Nora Gjakova fitoi me Ippon. Nora ishte bartësja e katërt.
Ajo ka dëshmuar se po kthehet në formën e duhur për Botëror, ndërsa i ka fituar 700 pikë të rëndësishme në ranglistën botërore.
Flaka Loxha e kaloi pengesën e parë në kategorinë deri 57 kg, por më pas u mposht nga Perishiq.
Në Tbilisi të shtunën garon Laura Fazliu, ndërsa të dielën Loriana Kuka.