Site icon Telegrafi

Noli i kuq

Disa të dhëna për veprimtarinë politike të shkrimtarit të shquar dhe priftit Fan Noli. Njeriu që u lind në Turqi, u quajt si turk nga shumë shqiptarë, por që i urrente shumë ata. Njeriu i padëshiruar nga perëndimorët dhe amerikanët. Njeriu që e shpiu Shqipërinë drejt anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve, anëtarësim ky që iu kthye si njëri nga dështimet më të mëdha në jetë. Njeriu që krijoi lidhje të mira me figura të mëdha të kombit shqiptar, e më pas i bëri armiq për punët e pushtetit, ku asnjëherë nuk bëri përpjekje për bashkimin e trojeve shqiptare, sepse kishte lidhje jo të këqija me fqinjët. Njeriu që vrau politikisht Bajram Currin, përpara se ta vriste fizikisht Ahmet Zogu. Njeriu që kishte shumë njerëz afër, dhe po të njëjtit në fund e quajtën tradhtar!

Ishte data 16 qershor 1924, kur Fan Noli me short vrime u zgjodh kryeministër i Shqipërisë përballë Sami Bej Vrionit.

Qysh në fillim Qeveria e Fan Nolit i kishte keq punët me shtetet perëndimore, sepse ajo nuk u njoh thuajse nga askush. Më problematikja doli të jetë Britania e Madhe, ku me ngulm kërkonte zgjedhje të reja me dëshirën e popullit. Edhe pse Noli u takua me Benito Musolinin për t’i kërkuar njohje, çdo gjë shkoi kot dhe për këtë iu drejtua Moskës, ku u premtoi sovjetikëve njohjen e tyre nga vendi i tij.

Fan Noli në punën e qeverisë së tij ishte i ashpër, duke filluar me gjyqet. Ai dënoi me vdekje në mungesë Ahmet Zogun, Ilaz Vironin e Shefqet Verlacin, pa e menduar fare se i pari nga këta, me ndihmën e jugosllavëve në krye me Pashiqin, do ta kthente qeverinë nën pronësinë e tij, e që ajo kohë e njeh si “Triumfi i legalitetit”. Noli nuk rezistoi fare, madje nuk kishte as me çka të rezistonte, por së bashku me shumicën e kabinetit të tij ia mbathi për në Itali. Në fund të disa mbledhjeve të tij ai u tha disa bashkëpunëtorëve të tij se kishin bëre shumë gabime dhe kjo ishte arsyeja pse ai hoqi mustaqet dhe mjekrën, si shenjë solidariteti për borxhin ndaj Shqipërisë.

Edhe pse dikur armik i tij, Ahmet Zogu pati në fund raporte normale me Nolin duke i dërguar edhe ndihma. Siç kujton edhe ish miku i tij Faik Konica, Zogu i shkeli që të dytë, duke bërë këtë të fundit edhe punonjës të vetin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për aq sa propaganduan dhe manipuluan me krerët e popullit shqiptarë, xhonturqit nuk qëndruan edhe aq gjatë mbi shqiptarët, por ndoqën një politik tejet të dëmshme në raport me shqiptarët. Pas luftërave që i bënë shqiptarët në ballafaqim me ta, Greqia nuk mbeti duarthatë, por shfaqi ambiciet e saj që i kishte qysh prej krijimit të planit “Megali Idea“, ku kësaj radhe synonte aneksimin e Epirit.

Edhe disa nga emrat më me nam të asaj kohe bashkëpunuan me Greqinë, ndër ta edhe Fan Noli. Ai i dërgonte letra Lisimakos Kaftanzoglut duke i premtuar punën për afrimin greko-shqiptar. Këtë afrim e quante si një rëndësi të madhe për popullin ballkanas. Siç na kujton ish i drejtori institutit të Studimeve Ballkanike Vasilis Kondis: Sa herë që temë e dialogimeve ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve ishte bashkëpunimi, grekët i mprihnin thikat për ta copëtuar Shqipërinë. Gjithashtu Noli shprehte simpatinë për shtetin grek, dëshirë që çështja e tyre të rregullohet miqësisht, sepse kjo krijon marrëdhënie të mira ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë.

Noli besonte në prejardhjen e njëjtë të shqiptarëve me grekët. Ai në veprat e tij na tregon që ekzistojnë shumë ngjashmëri dhe lidhje ndërmjet këtyre dy racave, dhe pse jo edhe një bashkim interesash ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu iu jep merita grekëve, duke i falënderuar për kulturën e tyre, që ishte shkak i ndjenjës sonë kombëtare.

Veprimtaria e tij u lidh shumë me grekët, mirëpo ai pati edhe konflikte me ta, gjegjësisht me Kishën greke për autoqefalinë e Kishës shqiptare. Mbështetjen e kërkoi tek Kisha ruse. Këtu duhet të ripërsëritim dhe të përmendim se që në fillimin e punës si kryeministër ai hasi ne probleme të mëdha, si rezultat i mos njohjeve nga shtetet perëndimore dhe pas kësaj ai iu drejtua Bashkimit Sovjetik, duke kërkuar mbështetje dhe duke tentuar për lidhje të marrëdhënieve diplomatike. Moskën do ta vizitonte edhe pas veprimtarisë politike, kur u largua nga Shqipëria, e ku do të qëndronte plot pesë vite.

Noli në fund morri një vize gjashtë mujore me mjaftë vështirësi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi, u bënë plot 10 vite ku qëndroi për herë të fundit në këtë shtet. Kthimi i Nolit u komentua shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse dihej që Noli ishte i lidhur me qarqe majtiste nga Moska. Robert Austin në librin e tij “Shtigjet e panjohura drejt Fan Nolit”, Nolin e quan një prosovjetik e së bashku me të edhe të gjithë përkrahësit e tij të cilët kishin prirje për komunizmin. Ai gjithashtu revolucionin e Fan Nolit e përshkruan si imitim të revolucionit bolshevik dhe marshimit fashist mbi Romë.

Krijimi i “Konares” u bë nga përkrahësit e Fan Nolit në mërgim, ku edhe vet qëndroi në krye të saj, e dihet që Konare-ja i dha hov të madh depërtimit komunist në Shqipëri.

Kthimin e Nolit nuk e mirëpriten mire amerikanët dhe shqiptarët atje. Shqiptarët nëpërmjet artikujve të shumtë që i botonin në gazetën “Dielli”, që njeriun kryesor kishte Faik Konicën, Nolin e quanin si njeri që nuk e do Shqipërinë, që nuk beson as kombësinë e as fenë, dhe si një njeri psikopat.

Gjithashtu edhe një numër i madh i gazetave dhe agjencive amerikane të lajmeve shpërndanë artikuj se njëri nga komunistët më aktivë evropianë erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbërriti organizatori i kuq etj. Ndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Richards Castle, ish ambasador në Japoni, si një antikomunist i zjarrtë që ishte kundërshtoi me ngulm kthimin e Fan Nolit në Amerikë. Nolin e quante si një vezë të keqe dhe “nuk ka pikë dyshimi që është një komunist kokë e dhëmbë”.

Në fund Nolin e quajtën tradhtar edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij në Amerikë, sepse ai kishte marrë disa ndihma nga Mbreti Zog, të cilin e kishte armik për shumë vite.

 

 

Exit mobile version