Telegrafi

Nokia dobësohet në tregun e telefonave të mençur

Shifrat në raportin financiar të Nokias tregojnë se kompania finlandeze në tremujorin e katërt të 2010-ës ka shitur 28.3 milionë telefona të mençur që është rritje krahasuar me 26.5 milionë njësi të shitura në tremujorin e tretë, apo krahasuar me 20.8 milionë në tremujorin e fundit të vitit 2009. Për fat të keq të Nokias, bëhet fjalë për një treg i cili rritet jashtëzakonisht shpejt, shumë më shpejt sesa shitja e Nokias.

Në tremujorin e katërt të vitit 2010 pjesëmarrja e Nokias në treg ka qenë 31 për qind, e vetëm një muaj më parë kjo përqindje ka qenë 38, gjersa në tremujorin e fundit të 2009-ës hiq më pak se 40 për qind. Pjesëmarrja në tregun e cila bie aq shpejt tregon qartazi se konkurrenca po qëndron shumë më mirë, dhe se sistemi operativ Symbian i Nokias nuk mund të përballet me atë Android të Google, e besojmë se probleme tjera do të fillojë t’i shkaktojë edhe Windows Phone 7.

Të hyrat operative të kompanisë gjithashtu kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2009. Shifrat për 2010 thonë se profiti operativ ka qenë 1.09 miliardë euro, derisa në 2009 ai ka qenë 1.47 miliardë euro. Këto rezultate afarizmi janë tregues të qartë se kompania finlandeze urgjentisht duhet të ndryshojë politikën e vet të afarizmit, e posaçërisht asaj që ka të bëjë me telefonat e mençur. /Telegrafi/