Site icon Telegrafi

Nobelisti Stiglitz parasheh një eurozonë pa Greqinë dhe Italinë

Fituesi i Çmimit Nobel, ekonomisti Joseph Stiglitz parasheh se Italia, Greqia dhe disa vende të tjera do ta braktisin eurozonën në vitet në vijim, ndërsa euron dhe politikat gjermane për kursim i akuzoi për problemet ekonomike në Evropë.

“Evropa nuk ka vendosmëri që t’i ndërmarrë reformat e nevojshme, siç janë krijimi i unionit bankar, e gjithashtu, nuk ka solidaritet përmes kufijve kombëtar”, deklaroi Stiglic në intervistën për “Die Welt”.

“Për 10 vite ende do të ketë eurozonë, por parashtrohet pyetja, si do të duket ajo? Ka pak gjasa që ajo të ketë ende 19 anëtare. Është vështirë të thuhet se kush akoma do t’i takojë”, thotë ai.

Sipas tij, është më lehtë të thuhet se kush nuk do të jetë më pjesë e eurozonës, duke cekur se njerëzit në Itali janë gjithnjë e më të zhgënjyer nga euroja dhe italianët fillojnë të kuptojnë se Italia nuk funksionon në euro.

Në të njëjtën kohë, thekson Stiglitz, Gjermania tashmë ka pranuar se Greqia do ta braktisë eurozonën, duke cekur se në të kaluarën i ka këshilluar Greqinë he Portugalinë që të heqin dorë nga valuta e përbashkët evropiane.

Stiglitz thekson se politikat e euros dhe kursimi në Gjermani janë fajtorë për dobësinë ekonomike të Evropës.

Shpërbërja e valutës së vetme apo ndarja në euro veriore dhe euro jugore janë mundësitë e vetme reale për jetësim të stagnimit në ekonominë evropiane, pohon ai.

Exit mobile version