Stilistja e njohur nga Prishtina, Diana Qerimi ka realizuar së fundmi koleksionin e saj më të ri vjeshtë/dimër, të quajtur “No Rules”.
Koleksioni i cili i përkthyer në shqip titullohet “Pa rregulla”, duket t’i ketë kaluar kufijtë e modës kësaj here.
Vet stilistja Diana Qerimi, në një intervistë për Telegrafin ka zbuluar detajet e koleksionit të saj më të ri, si dhe faktin se pse ka vendosur ta titullojë kështu.
“‘No Rules’ është koleksioni im i ri për sezonën e vjeshtës dhe dimrit, i vili përmban gjithsej 18 veshje të cilat janë pikërisht për stinët e ftohta të vitit. Ka diku rreth një muaj e gjysmë që merrem me realizimin e këtij koleksioni. E titullova ‘No Rules’ për arsye se në modë nuk ka rregulla, ndaj shpresoj që ky koleksion do bëjë shumë vajza që të thyejnë rregullat në stilet e tyre me veshjet e mia”, tha Diana Qerimi për Telegrafin.
Tutje, stilistja tregoi edhe për ngjyrat dhe dizajnet në të cilat është fokusuar më shumë këtë herë, dhe që e karakterizojnë koleksionin “No Rules”.
“Ngjyrat janë kryesisht ato të trendit të fundit dhe gjithashtu prerjet, por asnjëherë pa munguar detajet e insekteve (pilivesa dhe bleta), por që kësaj radhe të realizuara me punë dore”, ka thënë më tej Qerimi.
Ky koleksion gjendet në atelien e kreatores, ndërsa në përfundimin e bisedës, ajo tregon se çmimet e veshjeve janë të përballueshme për të gjithë ata që duan të posedojnë diçka nga koleksioni “No Rules”.
“Veshjet e koleksionit tim të ri gjenden në atelie, por edhe në ‘Fashion District’ në lagjen Marigona Rezidence, me çmime shumë të arsyeshme për xhepin e shqiptarëve”, përfundoi Diana Qerimi për Telegrafin.
Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale Diana ka prezantuar disa nga veshjet e koleksionit të saj më të ri, të cilat ua sjellim në vazhdim. /Telegrafi/