Site icon Telegrafi

Nju Jork, dënohet me gati pesë vite burg shqiptari që planifikonte sulme terroriste në Amerikë

Fabjan Alameti, shqiptari 21 vjeçar që banonte në Nju Jork është dënuar me gati pesë vite burg.

Më herët ai kishte pranuar fajësinë për deklarim të rremë tek Byroja Federale e Hetuese kur u pyet rreth aspiratave të tij për t’iu bashkuar organizatës terroriste Shteti Islamik dhe planin për hakmarrje pas sulmin në një xhami në Nju Zelandë.

Atij iu lexua dënimi në gjykatën federale në Missoula të shtetit të Montanës. Alameti është dënuar me 4 vite e 9 muaj heqje lirie.

Autoritetet e drejtësisë intervistuan Alametin për herë të parë në vitin 2018. Më vonë ai kishte postuar shkrime në rrjetet sociale, në mbështetje të organizatës ISIS, transmeton Zeri i Amerikes.

Prokurorët thonë se ai po udhëtonte me autobus drejt Montanës më 15 mars, kur një person i armatosur vrau 50 njerëz në një xhami në Christchurch të Zelandës së Re.

Alameti kishte biseduar online me një person pa e ditur se ai ishte informator, e të cilit i kishte shpalosur planin e tij që të sulmojë njerëz të zakonshëm në shenjë hakmarrje sikurse edhe planet e tij që të ndëmerrte një sulm kundër një objekti ushtarak në SHBA.

Ai u arrestua më 3 prill në një poligon armësh në shtetin Montana.

Avokati mbrojtës i të dënuarit tha se deklaratat e klientit të tij janë të mbrojtura nga amendamenti i parë.

Exit mobile version