Policia e Kosovës njoftoi se të dielën në orët e pasdites, policia e stacionit policor “veri” në Prishtinë kishte pranuar një informatë së një i dyshuar në rrugën “Ramë Govori” në Prishtinë ishte mbyllur në dhomën e tij.
Policia kishte pranuar edhe informatën se i dyshuari mund të ishte në depresion dhe me probleme psikike dhe se ishte në posedim të një arme automatike të llojit AK-47.
“Njësitet patrulluese që kanë shkuar së pari në vendin e ngjarjes së bashku edhe me ekipin e ndihmës së parë kanë vërejtur se bëhet fjalë për një operacion me rrezikshmëri të lartë. Meqenëse personi i dyshuar çdo moment mund të shkaktonte rrezik të përgjithshëm duke rrezikuar anëtarët e familjes dhe banorët e tjerë përreth, dhe tentimet për negocim kanë qenë minimale pasi që te i dyshuari sipas familjarëve vërehej depresion i thellë psikik ku i njëjti për katër ditë radhas ishte ngujuar në dhomën e tij”, bëhet e ditur në njoftim.
Pas analizimit të situatës në tërësi një ekip i NJSI-së me të gjitha pajisjet e nevojshme është vendosur në afërsi të vendit të ngjarjes dhe pas vlerësimeve nga ekipet mbështetëse ka filluar intervenimi gjatë të cilit është ndërhyrë në dhomën ku ndodhej i dyshimti.
“Zyrtarët e NJSI-së kanë hapur derën me forcë dhe në të njëjtën kohë në mënyrë dinamike kanë arritur të shohin të dyshuarin me armë në dorë dhe ta neutralizojnë atë para se ai të ndërmerrte ndonjë veprim të shkrepjes së armës së zjarrit. Të dyshuarit menjëherë i është ofruar ndihma mjekësore dhe më pas me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme”, bëhet e ditur. /Telegrafi/