Nga: Kahlil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli
Para shtatë shekujsh, shtatë pëllumba të bardhë u ngritën nga thellësia e një lugine dhe, duke fluturuar, arritën në majën e një mali të lartë plot me borë.
Njëri nga shtatë njerëzit që po i shikonin pëllumbat e bardhë në fluturim tha:
– Në njërin krah të pëllumbit të shtatë shikoj një njollë të zezë.
Sot e kësaj dite, njerëzit e asaj lugine tregojnë për shtatë pëllumba të zinj që, para shtatë shekujsh, kishin fluturuar drejt majës së malit me dëborë.