Telegrafi

Njohja e pavarësisë e mundshme!

Në negociatat për të ardhmen e Kosovës nuk duket asnjë afrim i palëve, shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Afati për një marrëveshje përfundon më 10 dhjetor. Bashkësia ndërkombëtare po përgatitet për shpalljen e mundshme të pavarësisë nga kosovarët. Ndërkohë që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pavarësia e Kosovës mbështetet nga SHBA po aq qartë sa refuzohet nga Rusia, Bashkimi Evropian deri tani nuk është shprehur qartë. Megjithatë duket se po krijohet një konsensus në gjirin e BE-së për njohjen e pavarësisë në rast shpalljeje të njëanshme nga shqiptarët.

Në Slloveni dhe Kroaci në vitin 1992 rrugët, sheshet dhe kafenetë morën emrin e ish-ministrit të atëhershëm gjerman Hans-Dietrich Genscher. Në vitin 1991 pak a shumë në lëvizje unike Genscheri arriti që 12 anëtarët e atëhershëm të BE-së të njihnin pavarësinë shtetërore të republikave jugosllave. Lëvizje të tilla të njëanshme si ajo e Genscherit BE kërkon t’i shmangë në rastin e Kosovës.

Uniteti për çështjen e Kosovës – një sfidë për BE-në

Në takimin joformal të ministrave të jashtëm të 27 anëtarëve të BE-së në fillim të muajit shtator u ra dakord të tregohet unitet në çështjes e Kosovës.

Ministri i jashtëm francez Bernard Kouchner: "Ne preferojmë unitetin ndaj një zgjidhjeje individuale të çështjes së Kosovës. Është absolutisht vendimtare që të mbetemi të bashkuar. Kjo është për Evropën një sfidë e vërtetë."

Konsultimet e brendshme prapa siparit sigurisht kanë vazhduar dhe ndërkohë sipas diplomatëve në Bruksel është e qartë se shumica dërrmuese e anëtarëve të BE-së do të njohin Kosovën shtet nëse kosovarët pas dështimit përfundimtar të negociatave me ndërmjetësinë ndërkombëtare do të shpallin pas 10 dhjetorit në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia. Britania e Madhe, vendet nordike, Franca dhe ndërkohë me sa duket edhe Gjermania janë gati për njohjen e Kosovës shtet. Spanja dhe Rumania fillimisht kanë kundërshtuar por duket se ndërkohë kanë ndryshuar qëndrim. Wolfgang Ischinger, negociatori i BE-së për Kosovën tha për Deutsche Welle-n se nuk mendon që BE do të përçahet në këtë çështje:

"Unë mendoj se premisat janë shumë të mira që BE të ruajë unitetin e saj në këtë çështje jo vetëm deri në 10 dhjetor por edhe pas tij pavarësisht se çfarë ndodh. Bindja ime mbështetet në rolin intensiv dhe reflektimin e përbashkët të 27 anëtarëve gjatë tre muajve të fundit. Pavarësisht nëse arrihet apo jo një marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve unë po e them që tani se BE do të ketë qëndrim unik".

Cilat shtete kundërshtojnë njohjen e pavarësisë?

Opozitë e fortë për njohjen e Kosovës shtet vazhdon të vijë nga Sllovakia, Greqia dhe Qipro. Qipriotë grekë në jug të ishullit të ndarë druhen se republika e izoluar turke në veri të vendit mund të njihej edhe nga shtete të tjera veç Turqisë.

Zyrtarisht kursi i BE-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka konfirmim pasi nuk dëshirohet të ndërhyhet në përpjekjet e Trojkës, thuhet në qarqet diplomatike. BE kërkon në këmbim të njohjes që shqiptarët në Kosovë të garantojnë mbrojtjen dhe barazinë e të drejtave për pakicën serbe në Kosovë. Icshinger, ndërmjetësi i BE-së në Trojkën për Kosovën, ankohet se të dy palët, serbët dhe kosovarët mendojnë shumë nacionalisht megjithëse të dy kërkojnë të anëtarësohen në BE:

"Unë mendoj se është e mundur që të zgjidhet çështja e Kosovës. Pyetja së cilës unë nuk di t’i përgjigjem është nëse palët disponojnë vullnetin e mjaftueshëm politik për të arritur një marrëveshje."

BE kërkon të shmangë me çdo mënyrë një ndarje në një çështje të politikës së jashtme si në rastin e luftës së Irakut e cila u mbështet nga Britania e Madhe por u kundërshtua nga Gjermania. BE është e gatshme të financojë dhe organizojë ngritjen e shtetit në Kosovë. NATO do të garantojë si deri tani sigurinë. Por për këto dy misione duhet të disponohet siguri juridike thuhet nga diplomatët në Bruksel. Një siguri e tillë është e thjeshtë të garantohet nga një shtet i njohur se sa me një krijesë e cila pranohet si shtet vetëm nga gjysma e anëtarëve të BE-së apo NATO-s.

Të premten e ardhshme (26.10) BE do të zhvillojë sërish konsultime me Rusinë për çështjen e Kosovës. Rusia mbështet Serbinë edhe kundërshton pavarësinë e njëanshme të Kosovës.

Diplomatët e BE-së druhen gjithashtu se një Kosovë e pavarur mund të ngjallë oreksin e shqiptarëve në Maqedoni.

Më 10 dhjetor në përfundim të afatit për negociatat me shqiptarëve dhe serbëve ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen në Bruksel. Tre ditë më vonë kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të mblidhen në samitin e tyre të radhës. Deri atëherë presidenca portugeze e BE-së do të punojë për poziciononim në një linjë të 27 vendeve të BE-së, pra për njohjen e Kosovës.

/Marrë nga Deutsche Welle/