Site icon Telegrafi

Njohja e Kosovës, kur Beogradi do të njohë pavarësinë e saj

Projekti i Shqipërisë Natyrale është përgjigja më e mirë ndaj Beogradit, nëse nuk ndryshon kursin e tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës

Padyshim se pavarësia e Kosovës ishte akti më pozitiv në Evropën Juglindore në këtë fazë të zhvillimeve politike dhe jo vetëm që ka stabilizuar rajonin, por ka krijuar premisa të reja për një gjeopolitikë dhe strategji të re të faktorit shqiptar në rajon. Me këto premisa të reja gjeopolitike, përfundimisht do të zgjidhet drejt problemi shqiptar në Evropën Juglindore. Kështu, kohën e fundit, jo rastësisht kanë marrë hov deklarimet e llojllojshme të njerëzve me ndikime të ndryshme në politike, si në Beograd, por edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas këtyre deklaratave në Evropën Juglindore, përkatësisht në Ballkan pas një periudhe 5-10 vjeçare do të vjen deri te ndryshimi i kufijve të shteteve të tanishme dhe një ristrukturim i ri shtetesh.

Mirolub Labus, një ish funksionar i lartë në Beograd i Grupit G17, njëherësh ish-nënkryetar i Qeverisë serbe kishte deklaruar se pas 10 vitesh rajoni i Ballkanit do të ketë një transformim tjetër dhe do të vjen deri te bashkimi i Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare me Shqipërinë, por edhe i bashkimit të entitetit serb të Bosnjës me Serbinë. Pra, sipas tij nuk do të ketë Maqedoni, por as Bosnjë Hercegovinë. Ky politikan ka paralajmëruar Bashkësinë ndërkombëtare se duhet të gjendet e përgatitur për sfidat e ardhshme të këtij rajoni.

Edhe shumë analistë dhe politikanë tjerë të huaj, si në Evropë dhe SHBA kanë parashikime të ngjashme për perspektivën e rajonit të Ballkanit. Daniel Serwer, drejtor i Institutit për Paqe në Uashington ka një kohë të gjatë që tërheq vëmendjen politikës amerikane, por edhe të tjerëve për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Nga ana tjetër, përpjekjet e intelektualëve shqiptar, sidomos Platforma e re për “Shqipërinë Natyrale” e hartuar nga veprimtari dhe politologu Koço Danaj në Shqipëri është projekti më serioz shqiptar, i cili në praktikë ka hedhur fakte të bollshme në dobi të bashkimit të kombit shqiptar dhe formimit të një shteti të përbashkët shqiptar.

Më herët, ish-sekretarja amerikane e Shtetit znj. Medeline Allbrajt para Konferencës së Rambujesë kishte deklaruar se shqiptarëve në Ballkan u duhet ndihmuar vetëm në një çështje, e kjo është përmirësimi i gabimit të Konferencës së Londrës të vitit 1913, me ç’rast trojet shqiptare ishin ndarë nëpër disa shtete të Ballkanit.

Tani, kur është projekti i Shqipërisë Natyrale, politika shqiptare e ka shumë më lehtë të detyrojë Beogradin ta njohë pavarësinë e saj. Kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur Tirana dhe Prishtina pajtohen për projektin në fjalë dhe dalin bashkë para Bashkësisë ndërkombëtare dhe Beogradit. Pa asnjë dyshim, Beogradi do të nxitojë të njohë pavarësinë e saj, sepse projekti i Shqipërisë Natyrale përfundimisht varrosë të gjitha ëndrrat serbe për dominimin në Ballkan.

Këtë formulë e dinë të gjithë shqiptarët, për veç klasës politike të saj, e cila deri më tani është shfaqur shumë indiferente ndaj këtij projekti. Ky bashkim do të jetë i mundur në formë paqësore dhe demokratike, sepse është projekt shumë i drejt dhe mund të konsiderohet si çelës kryesor i zgjidhjes shqiptare në Evropën Juglindore. Ky projekt siguron bashkim sa më të shpejt në projektin e Evropës së Bashkuar, paqe, stabilitet afatgjatë, zhvillim ekonomik, prosperitet të përgjithshëm shoqëror për shqiptarët, por edhe për popujt tjerë të rajonit dhe më gjerë. Ky projekt garanton që Evropa Juglindore për një kohë të gjatë nuk do të ketë konflikte dhe situata të tensionuara dhe do të jetë një e mirë e përgjithshme për të gjithë popujt e rajonit.

Exit mobile version