Site icon Telegrafi

Njohja e certifikatave të ADR-së, njohje e dokumenteve shtetërore të Kosovës nga Serbia

Njohja reciproke e certifikatave të ADR-së (the European Agreement concerning the International Carriage of Dangerous Goods by Road) mes Kosovës dhe Serbisë është njohje e dokumenteve shtetërore të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Certifikata ADR për shoferë është dokument shtetëror e cila përmban stemën shtetërore si dhe është konform konventës së OKB-së për ADR. Deri më tash, Kosova ka arritur njohje reciproke të certifikatave të ADR-së me shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, shtetet e rajonit e më gjerë dhe kësaj liste i shtohet tani edhe Serbia e cila me këtë marrëveshje ka njohur pavarësinë e Kosovës në fushën e transportit rrugor të mallrave të rrezikshme, ADR.

Për informim më të hollësishëm të opinionit publik rikujtojmë se ka më shumë se tetë muaj që Kosova e ka ngritur në Bruksel çështjen e njohjes së certifikatave ADR si reagim ndaj bllokadës që Serbia ia kishte bërë importeve nga kompanitë kosovare mirëpo pa rezultate.

Si kundërpërgjigje për mosgatishmërinë e Serbisë dhe vënien e bllokadës për importin nga Kosova që nga muaji shtator 2015 dhe në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-së dhe marrëveshjen e Brukselit për tregti të lirë, Qeveria e Republikës së Kosovës pati marrë vendim për masa reciprociteti për mosnjohjen e certifikatave dhe ka ndaluar importin e mallrave të rrezikshme nga Serbia.
Sipas marrëveshjes së fundit ajo do të hyjë në fuqi më 25 prill 2016 dhe me këtë rast në ditën kur hynë në fuqi kjo marrëveshje atëherë në po të njëjtën ditë do të hiqen masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Megjithëse u desh më shumë se tetë muaj bisedime që të arrihet kjo marrëveshje, vlerësojmë që është mirë që është arritur por duhet pas parasysh që proceset e bisedimeve dhe zgjidhjet në dialogun e Brukselit po japin rezultate por po kërkohet kohë dhe angazhime që të vihet deri te marrëveshja. /Telegrafi/

Exit mobile version