Bosnjë dhe Hercegovina ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të heqë tarifën doganore 100 për qind për mallrat me origjinë nga ky shtet. Qeveria e Kosovës ka më shumë se dy muaj që ka vendosur tarifë doganore, fillimisht në 10 e më pas në 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia, por edhe nga Bosnjë e Hercegovina.
Serbia dhe Bosnja janë shtetet e vetmet të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Pavarësisht mosnjohjes së shtetit të Kosovës dhe aplikimit të regjimit të vizave nga Bosnja e Hercegovina, mallrat e këtij shteti kanë qenë të pranishme në tregun e Kosovës.
Kurse, vendosja e tarifës për produktet me origjinë nga ky shtet, ka bërë që importi të zvogëlohet deri në 80 për qind.
Sipas statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin dhjetor të vitit të kaluar, muaj ky në të cilin është zbatuar taksa, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga ky shtet ishte 199 mijë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2017, vlera e mallrave nga Bosnja në tregun e Kosovës kishte arritur në rreth 8 milionë euro.
Po, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, gjatë gjithëvitit 2017 Kosova ka eksportuar në Bosnjë e Hercegovinë mallra në vlerë prej rreth 9 milionë eurosh, kurse importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës ka qenë mbi 81 milionë euro.
Për shkak të humbjeve të pësuara, Sarajeva zyrtare ka kërkuar nga Kosova që pa kushte të shfuqizohet tarifa ndaj mallrave të saj nga ana e autoriteteve në Prishtinë. Kërkesa edhe zyrtarisht i është prezantuar delegacionit të Kosovës gjatë një takimi dypalësh të mbajtur të enjten në Sarajevë.
Në anën tjetër, pala nga Kosova ka paraqitur qëndrimin se tarifa ndaj këtij shteti nuk do të shfuqizohet përderisa autoritetet e Bosnjës të njohin të gjitha dokumentet e lëshuara nga shteti i Republikës së Kosovës.
Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka marrë pjesë në takim, thotë se kanë kërkuar nga autoritetet e Bosnjës që t’i njohin targat e veturave civile, zyrtare dhe komerciale.
“Po ashtu, njohjen e të gjitha dokumenteve të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe njohjen e markave kombëtare të konformitetit. Të gjitha këto dërgojnë në njohjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thotë Dervisholli.
Edhe përfaqësues të komunitetit boshnjak në Qeverinë e Kosovës, pajtohen me vendimin e ekzekutivit për tarifën doganore.
Qerim Bajrami, zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nga komuniteti boshnjak, thotë se edhe pse shumica e kompanive eksportuese në Kosovë kanë qenë nga Republika Serbe në Bosnjë, të zgjedhurit e boshnjakëve dhe kroatëve në këtë shtet, duhet të gjejnë mënyrën dhe të reflektojnë karshi njohjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njëherësh heqjen e regjimit të vizave.
“Eksporti i mallrave në Kosovë ka qenë më shumë nga Republika Serbe e ashtuquajtur, pasi ata posedojnë dokumente nga Republika e Serbisë dhe kanë pasur mundësi që pa viza të hyjnë në Kosovë. Unë pajtohen me vendimin e Qeverisë së Kosovës, sepse boshnjakët dhe kroatët në Bosnje duhet të gjejnë fuqi dhe mënyra, pavarësisht të drejtës së votës të përfaqësuesve të komunitetit serb, të tregojnë se janë të gatshëm të njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo sepse boshnjakët në Kosovë edhe në Bosnjë vuajnë më shumë nga regjimi i vizave”, thekson Bajrami.
Ndryshe, produktet e qumështit dhe produkte të tjera ushqimore ishin në mesin e mallrave më të eksportuara të Bosnjës në tregun e Kosovës. /rel/Telegrafi/