Mesatarisht 6 deri në 11 muaj i janë dashur Gjykatës Kushtetuese të nxjerrë vendime për raste të ndryshme.
Por, për një çështje të ngritur nga Partia Liberale Egjiptiane, kësaj gjykate nuk i kanë mjaftuar as 16 muaj për të dalë me një vendim.
Në një përgjigje për Radio Kosovën, Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimmarrja varet nga kompleksiteti i rastit.
Njohësit e çështjeve kushtetuese e cilësojnë si kompleks këtë rast dhe thonë se do duhej të trajtohej me prioritet.
Më 13 prill 2021 kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim kushtetues vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me atë që ai e quan “orkestrim votash” nga ana e “Iniciativës Rome” me “Listën Serbe”.
Në raste të tilla, sipas Berishës, Gjykatës Kushtetuese i janë dashur 6 deri 11 muaj kohë për trajtim, por jo në këtë rast.
“Tash 16 muaj po bëhen dhe ne nuk kemi asnjë vendim dhe nuk kemi asnjë përgjigje se çfarë po ndodhë me lëndën tonë, e cila për neve ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Është e rëndësishme edhe për Kosovën, edhe për demokracinë në vend, për faktin që çështja është e ndieshme, sepse është cenuar një përfaqësim i një komuniteti që është komunitet kushtetues lojal i Kosovës”, ka thënë Berisha për Radio Kosovën.
Gjykata Kushtetuese në një përgjigjje me shkrim ka thënë për Radio Kosovën se kjo lëndë është duke u shqyrtuar.
“Vlen të theksohet se kohëzgjatja e vendimmarrjes së gjykatës në kërkesat e parashtruara nuk varet medoemos nga numri rendor apo koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i rastit dhe përmbajtja e lëndës që duhet trajtuar”, thuhet në përgjigjen e gjykatës, ku nuk saktësohet se pse është kaq komplekse kjo lëndë.
Sipas juristit, Durim Berisha, që është i specializuar në fushën e të Drejtës Kushtetuese, pikërisht kompleksiteti i tij, këtë rast do duhej ta vendoste, para shumë rasteve, në trajtimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai thotë se gjykata do duhej ta trajtonte me prioritet këtë rast.
“Te rasti konkret është shqetësues fakti që pas 16 muajve nuk kemi vendim, për shkak se ka të bëjë me funksionimin e jetës parlamentare dhe një vendim hipotetik, sipas të cilit mandati i deputetit në fjalë do të shpallej i pavlefshëm, atëherë kjo do të kishte efekt të përgjithshëm në procesin e legjitimimit të institucioneve që kanë ndodhur më herët”, ka thënë Berisha për Radio Kosovën.
Ish deputeti Veton Berisha si ankues në këtë rast nuk dëshiron të paragjykojë shkakun e vonesës së nxjerrjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, por thotë se me këtë vonesë, edhe vendimi mund ta humbas efektin e vetë.
“Bëhet fjalë për garë zgjedhore, e cila nuk ka qenë e barabartë, është cenuar. Ne kemi qenë fer në garë, të tjerët nuk kanë qenë fer, e kanë keqpërdorë sistemin zgjedhor dhe ne normalisht e presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka dështuar PZAP-ja, ka dështuar Gjykata Supreme dhe normalisht besimi ka qenë në Gjykatën Kushtetuese. Prapë e kemi besimin, por kjo vonesë është vërtetë e pakuptimtë”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane pretendon që përfaqësuesi rom në Kuvendin e Kosovës, Fadil Gashi, është jolegjitim dhe i orkestruar nga komuniteti serb. Gashin, siç thotë Veton Berisha, e konteston edhe ish-deputeti nga komuniteti rom, Albert Kinolli, i cili po ashtu është pjesë e ankesës në Gjykatën Kushtetuese, ankesë kjo që pret përgjigje tash e 16 muaj.