Përkundër që Kryesia procedoi tutje, njohësit e çështjeve politike dhe të drejtësisë thonë se është e pamundur që të krijohet në Tribunal ndërkombëtar për krimet që Serbia ka bërë në Kosovë. Ata thonë se një gjë e tillë po bëhet për konsum politik.
Rezoluta e dërguar për të enjten në seancën e Kuvendit, ndër tjera kërkon që Serbia të pranojë që ka kryer krime dhe gjenocid në Kosovë, të jap informacione për të pagjeturit dhe të shlyej dëmet e luftës.
Por, këtë e shohin si të parealizueshme, njohësit e zhvillimeve në vend.
Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se është e pamundur realizimi i këtyre kërkesave me anë të rezolutave të Kuvendit të Kosovës. Madje ai thotë se kërkesa për një Tribunal që gjykon krimet e serbe në Kosovë nuk mund të realizohet në asnjë mënyrë.
“Dy rrugë përmes së cilës do të mund të realizohej kjo, dyja janë të pamundshme. E para është që vet Serbia të krijojë një Tribunal të tillë ndërkombëtar por shihet se nuk ka ndonjë vullnet të tillë. Ndërsa në anën tjetër është pak sa e pamundur që Serbia t’i gjykojë vet këto krime. Nëse dëshirojmë të kemi një Tribunal ndërkombëtar përmes Këshillit të Sigurimit do të duheshin edhe votat e Rusisë dhe Kinës, e që për momentin nuk shihet që ka ndonjë vullnet të caktuar për një gjë të tillë”, tha për RTV Dukagjinin, Gzim Shala.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, thotë se ideja për krijimin e një Tribunali ndërkombëtar është bërë për konsumim politik.
“Mendoj se është shumë problem që Kosova të iniciojë themelimin e një Tribunali të tillë, për shkak se nuk ka forcë e për më tepër nuk është as e anëtarësuar në OKB për të iniciuar diçka të tillë. Kjo më shumë mbetet për konsum të brendshëm politik, pasi mundësia që Kosova të inicioj themelimin e një Tribunali të Hagës janë shumë të vogla apo nuk ekzistojnë fare”, tha Arton Demhasaj, përcjell Telegrafi.
Ideja e Tribunalit ndërkombëtar doli në pah, pasi disa zyrtarë të komunitetit serb në Kosove dhe në Serbi, mohuan masakrat që shteti i tyre ka bërë në Kosovës gjatë luftës së fundit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/