Telegrafi

Njohësit e çështjeve politike: Edhe pas certifikimit të zgjedhjeve, nuk pritet formim i shpejt i institucioneve

Ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo edhe pas certifikimit sipas njohësve të rrethanave politike, nuk pritet një konstituim i shpejtë i institucioneve të reja. Ndërkaq nëse Presidenti nuk e fton seancën konstituive, këtë mund ta bëjnë deputetët e legjislaturës së kaluar.

Pas certifikimit të rezultateve, Presidenti në afat prej 30 ditësh cakton seancën konstituive për t’u zgjedhur organet e reja dhe në afat prej 15 ditësh mandatari obligohet të formojë kabinetin.

Sipas njohësit të çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu, nëse dështon tentimi i parë presidentit, ai cakton një mandatarë të dytë i cili është i obliguar në afat prej 10 ditësh të formojë kabinetin qeveritarë, e nëse dështon edhe tentimi i dytë atëherë vendi shkon në zgjedhje.

Mirëpo nëse Presidenti nuk e fton seancën konstituive, këtë mund ta bëjnë deputetët e legjislaturës së kaluar.

Njohësi i rrethanave politike, Blerim Burjani shprehet se duke parë disponimin aktual politik  të partive fituese, nuk pritet një konstituim i menjëhershëm i institucioneve të reja.

“LDK vazhdimisht ka refuzuar që të merren përfundimisht vesh deri ne certifikim të rezultatit zgjedhor. Nëse është kështu siç thotë LDK-ja, formimi i institucioneve nuk do të ndodh bash menjëherë në javën e parë pas certifikimit të rezultateve. Por kjo mund të ndodh në periudhën 30 ditore. Pra është një afat kushtetues ku subjektet politike mund të kalkulojnë në tema tjera”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerim Burjani.

Aktualisht janë duke u rinumëruar edhe mbi 1400 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit të Rezultateve,  pas ankesave nga subjektet politike në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa./RTV Dukagjini/Telegrafi/