Gjykata Speciale ka hedhur poshtë edhe kërkesën e dytë për lirimin me kusht, këtë herë ndaj Hysni Gucatit. Njohësit e çështjeve juridike, thonë se mungesa e dokumentacionit po ia pamundëson mbrojtjes që të bind gjykatësin që t’i liroi më kusht klientët e tyre.
Gjykata e Apelit pranë Dhomave të Specializuara nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për lirim me dorëzani të kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit. Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se mungesa e dokumentacioneve po ndikon që mbrojtja të mos arrij ta bind gjykatën që të akuzuarit të lirohen nga paraburgimi.
“Deri më tani shumica e kësaj aktakuze është e redaktuar, për më tepër mbrojtja nuk ka as pjesën më të madhe të dokumentacioneve që e mbështetë këtë aktakuzë… Kjo qëndron krejt në atë se sa mund të bindet Gjykata rreth pretendimeve të Prokurorisë apo rreth pretendimeve te mbrojtjes, me qëllim që të ndërpresin paraburgimet, e deri më tash po shohim që mbrojtja nuk po mund ta bind gjykatën që nuk është e nevojshme vazhdimi i paraburgimit”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Yll Zekaj.
Avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj thotë se në rastet kur refuzohet lirimi me kusht, mbrojta mund ta dërgoi kërkesën deri në Gjykatën Kushtetuese, pranë Dhomave të Specializuara, përcjell Telegrafi.
“T’i lirojë me kusht ose t’i mbrojë në liri me kushte të caktuara. Pra të marrë një masë më të lehtë se paraburgimi…Nëse edhe gjyqtari i procedurës paraprake i refuzon këto kërkesa, këta kanë të drejtë të apelojnë këto vendime në dhomën e apelit pranë Gjykatës Speciale. Këto vendime janë të apelueshme deri në Dhomën Supreme, apo edhe në Kushtetuese nëse avokatët konsiderojnë se ka shkelje të të drejtave të njeriut”, deklaroi Taulant Hodaj.
Gjykata i kishte refuzuar lirimin me kusht edhe Sali Mustafës./Telegrafi/