Site icon Telegrafi

Njohësit e çështjeve ekonomike dhe politike thonë se “Autostrada e paqes” është mundësi zhvillimi për Kosovën

Autostrada që do të lidh Prishtinën me Nishin, ka marrë miratimin për financim edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njohësit e çështjeve ekonomike dhe politike thonë se kjo autostrada do të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës. 

Korporata Ndërkombëtare e Financave të Zhvillimit në SHBA dhe Banka e Eksport-Importit, kanë nënshkruar Letrat e Interesit, për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”,  që lidh Prishtinën me Nishin.

Për këtë çështje, Visar Xhambazi nga D4D thotë se po vërehen efektet e para të marrëveshjes së Uashingtonit.

“Pala negociuese e marrëveshjes  që në këtë rast është SHBA po e marrin seriozisht normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimin rajonal”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim (D4D), përcjell Telegrafi.

Ndresa nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë se kjo autostrada do të sjell zhvillim ekonomik për vendin, pasi i mundëson Kosovës lidhje edhe me korridore të tjera.

“Autostrada do të sjellë investime dhe lidhje të rëndësishme të Kosovës me korridoret ndërkombëtare. Normalisht se ajo do të jetë edhe sinjal për investime tjera ndërkombëtare sidomos amerikane”, deklaroi Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve Vendor, Astrit Panxha, tha se kjo autostradë nuk garanton zgjidhjen e problemeve, që prodhuesit vendor kanë për eksportimin e produkteve në Evropë.

“Ndërtimi i kësaj rruge i ndihmon ekonomisë shumë, por problemet me Serbinë kanë qenë në aspektin e pranimit të dokumenteve apo certifikatave që lëshon Republika e Kosovës”, deklaroi Astrit Panxha.

Autostrada që parashihet të ndërtohet, ishte pjesë e zotimeve që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Uashington. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version