Site icon Telegrafi

Njohësi i sigurisë për targat ilegale: Tensione mund të ketë kur nis shqiptimi i gjobave

Kanë mbetur edhe pak orë deri në fillimin e zbatimit të vendimit të ri të Qeverisë për targat ilegale, me të cilin serbët do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor.

Sipas njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, në këtë fazë nuk mund të ketë tensionim të situatës. Megjithatë, një gjë të tillë ai nuk e përjashton në kohën kur do të shqiptohen gjoba për ata që përdorin targat ilegale.

Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit, nga 29 nëntori deri me 21 janar do të jete masa e gjobitjes, ndërsa targat provuese do të mund t’i përdorin deri më 21 prill të vitit të ardhshëm.

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi tha se me fillimin e masës të qortimit nuk mund të ketë tensione të situatës, por tensione mund të ketë për zbatimin e masës së gjobave, pasi është një shumë pak e lartë. Sipas tij, tensione mund të ketë çdoherë, pasi nuk ka një marrëveshje të përfunduar.

Ibishi tha ky vendim është dashur të merret në bashkëpunim me SHBA-në. Ndërsa sa i përket pagesave për automjetet që regjistrohen për herë të parë, ai tha se mund të ketë presion prej anës serbe, për shkak se është pako e rënduar.

“Së pari ky reciprocitet pasi është bërë shtyrja e dytë, është dashur të jetë në bashkim me SHBA-në dhe grupit të QUINT-it dhe kjo pako e ngarkon sistemin për ato që për herë të parë regjistrohen në RKS, gjithashtu edhe taksat…Kur nuk ka një marrëveshje të përfunduar gjithmonë ka mundësi për tensione. Baza legale për zbatim të reciprocitetit është, mirëpo nëse është shtyrë njëherë, kërkesa ka qenë të shtyhet për një kohë të konsiderueshme për dhjetë muaj, kjo nuk ndodhi dhe me këtë po nënkuptohet se zbatimi është i menjëhershëm. Presioni ka me qenë prej anës serbe për shkak të një pakoje të renduar financiare në aspektin e pagesave për një automjet që për herë të parë regjistrohet, ndoshta është dashur të ndodhë në ndonjë formë tjetër, të jetë pak me benefite, të mos keqpërdoret, duke pas parasysh për ato automjete që kanë qenë të regjistruara, nëse ata japin dosje të mëhershme”, tha Ibishi.

Lidhur me këtë, Ibishi tha se tensionet mund të jenë kur fillon zbatimi i masës me ekzekutimin e gjobave.

“Nuk pres këtë fazën kur jepen vërejtjet, pasi është një fazë preliminare para zbatimit. Unë më tepër kam parasysh në fazën kur fillon zbatimi me ekzekutimin e gjobave e mandej një formë detyrimi për ta bërë këtë, dhe kur prek në të hollat që e kanë një kosto jo pak të lartë”, shtoi Ibishi.

Më tej, njohësi i sigurisë tha se Qeveria është dashur të dalë më herët me masën e pakove dhe jo në momentin e fundit.

“Është dashur të merret parasysh çdoherë kërkesa e SHBA-së, por edhe grupit të QUINT-it, të cilët realisht po punojnë në kuptim të arritjes së një marrëveshje të gjithmbarshëm… Vendimi tash është marrë, duhet të zbatohet, kjo pako është dashur të hapët më herët, jo në momentin e fundit. Qeveria kur e ka parë që nuk po realizohet çështja e një marrëveshje dy paleshe me ndërmjetësim të ndërkombëtareve, BE dhe SHBA-së, është dashur më herët të dalin me këtë pako me qëllim që qytetarët të jenë të njoftuar me këto masa”, tha Ibishi për KosovaPress.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se në veri të Mitrovicës vazhdimisht shkelet ligji. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ai ka përmendur rastet e qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë vendosur që t’i kthejnë targat e veturave të tyre në RKS, ku të njëjtit pastaj janë kërcënuar ose sulmuar.KP/Telegrafi/

Exit mobile version