Telegrafi

Njoftimit me dy rreshta të Unitedit për largimin e Ronaldos, Piers Morgan i reagon me dy fjalë

(Foto: YouTube/Piers Morgan Uncensored)

Gazetari britanik, Piers Morgan, ka reaguar pas lajmit që Cristiano Ronaldo do të largohet nga Manchester Unitedi.

Klubi anglez ka njoftuar se superylli portugez  do të largohet me efekt të menjëhershëm pas intervistës së tij pikërisht në TalkTV.

Gjatë bashkëbisedimit me Morgan, Ronaldo i kishte kritikuar Djajtë e Kuq që nuk kanë përparuar prej kohës që ai u largua drejt Real Madridit (në vitin 2009).

37-vjeçari njëherësh kishte thënë se nuk ka respekt për trajnerin Erik ten Hag, i cili ia kishte kufizuar kohën e lojës këtë sezon, përkundër se ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës në edicionin e kaluar.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i moderatorit të njohur, i cili dy rreshtave të Unitedit në Twitter iu është përgjigjur me dy fjalë: “The End (Fundi)”.

Lajmi për largimin e CR7 nga Old Trafford vjen më pak se dy ditë para zhvillimit të ndeshjes së parë në Kampionatin Botëror me Portugalinë. Përfaqësuesja e tij do të luajë kundër Ganës në Doha të enjten pasdite.

Chelsea, Sporting Lisbona dhe klubet nga MLS janë përmendur si destinacionet e tij të mundshme. /Telegrafi/